Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një tubim elektoral në Komunën e Podujevës, ka thënë se më 9 shkurt do të bëhen plotë 1 mijë e 420 ditë që nuk ka lëshuar pe ndaj askujt, andaj ka ftuar të gjithë kosovarët të mos lëshojnë pe më 9 shkurt para kutive të votimit duke e votuar këtë parti me shumicë absolute përsëri.
“Fjala që kam dëgjuar më së shpeshti nëpër takime, nëpër komunikime, nëpër tubime ka qenë ‘mos lësho pe’. Unë nuk lëshoj pe, kjo lista jonë nuk lëshon pe. Unë nuk kom lëshuar pe si kryeministër, e me 9 shkurt bëhen 1 mijë e 420 ditë që nuk kam lëshuar pe”, tha ai.
Gjatë një fjalimi para të pranishmëve në sheshin e Podujevës, Kurti ka potencuar se në të gjitha komunat të cilat kufizohen me Serbinë, aktualisht po udhëheq LVV-ja.
“Kufirin më të gjatë me Serbinë e ka Podujeva, dhe sa mirë që e kemi kryetar Shpejtim Bulliqin nga LVV-ja. Komuna e dytë që e ka kufirin më të gjatë me Serbinë është Leposaviqi, edhe aty e kemi Lulzim Hetemin e LVV-së, dhe a e dini çfarë komuna e tretë dhe e katërt që e kanë kufirin më të gjatë me Serbinë në Kosovë janë Kamenica e Gjilani, edhe aty e kemi Kadri Rahimaj dhe Alban Hysenin”, ka shtuar ai.
Me këtë rast, Kurti është përkujdesur të thumbojë edhe partitë opozitare, duke thënë se do të ishte problematike në rast se komunat kufitare do të udhëhiqnin, siç tha ai, “partitë e tjera”.
“Se ata i thonë Serbisë ‘razumem’, nuk ka ‘razumem’ me komshiun e keq, kur e ki komshiun e keq, atëherë duhet ta mbash moralin lartë dhe pushkën e mirë plotë”, ka pohuar ai.
Kurti ka vazhduar thumbimin e partive opozitare edhe me shembullin e tepsisë.
“Këta para nesh a din si e kanë menduar shtetin, e kanë menduar si një tepsi që nuk është i askujt, e mund të bëhet i dikujt, por varet sa i shpejt je. E kush është më i shpejt, ai që është më afër, prandaj për ta pushteti ka qenë afërsi ndaj tepsisë”, tha Kurti, duke vlerësuar se për katër vjet ky mentalitet ka ndryshuar.
“Buxheti i shtetit nuk është i askujt që mund të përvetësohet nga dikush, por është i të gjithëve”.