Katër ditë para zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje aktivitetet elektorale i ka fokusuar në komunën e Prizrenit. Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, gjatë së mërkurës, ka vizituar disa nga bizneset prodhuese në këtë qytet, derisa në mbrëmje ka mbajtur tubimin qendror në Shatërvan
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka hedhur poshtë mundësitë e të bërit koalicion me partitë opozitare.
Si shembull se nuk bëhet, ka marrë koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës, të arritur pesë vjet më parë.
“Deri më 9 shkurt le ta kursejmë edhe gjumin po jo punën. Prandaj, vetëm kështu do të jemi të sigurt që i kalojmë 500 mijë vota dhe e kemi fitoren e cila na e mundëson të qeverisim sigurt, vetë ne, vetë ne që vetëvendosim pa kurrfarë nevojë për dikë tjetër, I cili veç ka dashtë me na qit zall në rrota në rastin ma të mirë por përndryshe s`ia ka dashtë të mirën vendin tonë. Me këtë rast unë jua konfirmoj edhe njëherë, na e kemi provu koalicionin me ta 51 ditë na ka zgjatë. O për zotin qetash as 5 orë s`mundet me zgjatë. Kështu që na s`bojmë koalicion me ta. Na kemi koalicion me njëri-tjetrin, me popullin”, ka thënë ai
Në tubimin qendror në Prizren, të mërkurën, Kurti është mburrur me rritjen ekonomike gjatë katër vjetëve të tij në pushtet.
“Ne kemi bërë rritje ekonomike e cila nuk është parë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon e më gjerë. Për katër vjet buxheti, ekonomia janë rritë për 50 për qind. Vitin e kaluar mbi 3 miliardë euro të hyra tatimore, mbi 1 miliardë euro eksportet dhe mbi 10 miliardë euro bruto produkti vendor”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se qeverisjen e tij janë duke e lakmuar e xhelozuar të tjerët. Sipas tij, ai nuk mund të merret me lakminë e xhelozinë e individëve, pasi siç ka thënë, merret me “punësimin dhe pasurimin e qytetarëve, të shumicës punëtore patriotike të vendit tonë të dashur”.
“Si qeveri nuk kemi as energji, as kohë, as nerva, as kompetencë me u marrë me lakminë e xhelozinë e disa të individëve, e atyre individëve të këtyre partive opozitare, që janë ish-qeveritarë, atyre populli në shkurtin e vitit 2021 ua ka treguar vendin edhe më 9 shkurt, këtë të diel do të ua tregoj vendin”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se me qeverisjet e kaluara partneri kryesor tregtar i Kosovës në rajon ka qenë Serbia, derisa tash është Shqipëria. Për dallim nga vitet e kaluara, sipas Kurtit Serbia më nuk është shteti ku Kosova importon më së shumti mallra, pasi ai është zëvendësuar me Turqinë.
Nga Shatërvani, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, ka përsëritur zotimin e tij për ndryshim të sistemit të drejtësisë. Ka thënë se përveç lokomotivave e vagonëve, në binarë do të vihet edhe drejtësia.
“Në Kosovë drejtësinë e kemi shtremtë. Drejtësinë e kemi shtremtë e nuk ka rrugë tjetër përveç se me drejtu drejtësinë. Kur e ki diçka shtremt duhesh me drejtu, na e kemi drejtësinë shtremtë pra duhet me drejtu drejtësinë…Ashtu siç janë hekurudhat udhë të drejta ashtu do ta bëjmë edhe drejtësinë të drejtë. Për lokomotivën me vagona e kemi hekurudhën për drejtësinë e kemi vettingun dhe Prokurorinë e Re Speciale kundër Krimit të Organizuar si dhe Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, ka thënë Kurti.
Për Kosovën, prizrenasve ua ka cituar edhe disa raporte ndërkombëtare.
“Kosova është vendi me ma së paku krim në Ballkanin Perëndimor sipas raportit të Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional dhe në mesin e top 10 vendeve në indeksin ma të lartë të ligjit dhe rendit si dhe një ndër vendet ma të sigurta për të ecur vetëm natën sipas raportit të organizatës amerikane Gallup. Pra, popullin e kemi shumë të mirë edhe policinë e kemi shumë profesionale”, ka thënë ai.
Gjatë mandatit që po lë pas, Kurti ka thënë se në Prizren janë investuar gjithsej 240 milionë euro.
“E në mandatin e ri vetëm rruga Prizren-Tetovë do të jetë 200 milionë euro, rrugë të cilën do ta ndërtojmë e financojmë bashkë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Do ta ndërtojmë edhe magjistralen e Dukagjinit, rrugën e Dukagjinit që zgjerohet dhe lidhë Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën e Istogut”.
Ka premtuar investime milionëshe në Spitalin e Prizreni.
Nga prizrenasit ka kërkuar 40 mijë vota derisa iu ka bërë thirrje për pjesëmarrje në tubimin përmbyllës që do të mbahet të premten në Prishtinë. E para atij në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje, të enjten fushatën do ta vazhdojë në Pejë.