Një shpërthim i fuqishëm, që u pasua nga një zjarr i madh, u regjistrua mëngjesin e së hënës në rajonin rus, Belgorod, në një akt për të cilin autoritetet rajonale akuzuan “sabotatorët”.
Sipas guvernatorit të rajonit, një grup i armatosur hyri në territorin rus dhe pranë distriktit të Graivoron u përball me ushtrinë vendase, ku pati dhe shkëmbim zjarri.
Por i menjëhershëm ishte dhe reagimi i Ukrainës për këtë ngjarje. Sipas gazetës “Hromadske”, e cila citon burime të inteligjencës ushtarake, dy grupe opozitare ruse të armatosura “Liri për Legjionin Rus” dhe “Trupat vullnetare ruse” ishin përgjegjëse për sulmin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi më pas se presidenti Putin është informuar për ngjarje dhe ka nisur puna për të dëbuar dhe shtypur këta sabotatorë.
Në një deklaratë për mediat, governatori Vyacheslav Gladkov tregoi se në operacion u përfshinë ushtria, rojet kufitare, ata presidencialë, ndërkohë që 6 persona u plagosën dhe 3 ndërtesa administrative u dëmtuan.
Mediat lokale bëjnë me dije se në disa fshatra është ndërprerë uji dhe furnizimi me energji.
Grupi i vetëquajtur “Liri për Legjionin Rus”, i drejtuar nga opozitari Ilya Ponomarev i cili është shprehur më herët se po punon nga brenda Rusisë për rrëzimin e Putin, shkroi në rrjetet sociale se qyteti i Kozinka tashmë është çliruar.