Zbardhet dosja e SPAK: Veliaj me 3 vila në Qerret nga Gent Sula, kompania e tij përfitoi “një pafundësi” tenderësh në Tiranë

A2 CNN ka siguruar dosjen e SPAK për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të arrestuar të hënën me akuzën e korrupsionit dhe fshehjes së pasurisë. Në dosjen 400-faqeshe, sipas SPAK, Veliaj i ka dhënë tendera Gent Sulës, pronarit të kompanisë AGICONS, ndërkohë që ai dhe familjarët e tij kanë blerë prona nga kjo kompani.

Gjithashtu Veliaj dhe Sula kanë kryer disa udhëtime me charter bashkë, ndërsa gruaja e ndërtuesit, Gentiana Sula, është punësuar si zv.ministre e Mirëqenies Sociale, kur këtë dikaster e drejtonte Veliaj.

Kështu, provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ekspozojnë ekzistencën e një mekanizmi të mirë menduar, krijuar dhe vënë në funksion nga shtetasit nën hetim me qëllim përfitimin nga fondet publike dhe pasurimin personal përmes veprimeve të kamufluara dhe të paligjshme. Në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta shtetas, siç do të prezantohet në vijim, nisur nga provat e administruara në fashikull, të paktën në 10 raste krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale në nivelin më të lartë të qeverisjes vendore.

Pjesë nga dosja e SPAK

Nga aktet e administruara rezulton se në informacionin e përcjellë nga shtetasi i vetëidentifikuar si Nesti Angoni, cili në atë kohën që shtetasi Erion Veliaj u emërua Ministër i Punës, bleu një pasuri të paluajtshme-banesë, të ndodhur në bllokun rezidencial “Kodra e Diellit”, në pronësi të shtetasit Genti Sula. Pas kësaj, bashkëshortja e këtij të fundit u emërua zvendësministre tek Ministria ku shtetasi Erion Veliaj ishte titullar. Më pas, u emërua zëvendësministër tek Ministria ku shtetasi Erion Veliaj ishte titullar. Më banesën më fjalë është shtuar me një kat dhe për të është ndërtuar një ashensor i veçantë. Më tej, shpjegohet se që prej asaj kohe marrëdhënia e këtyre dy shtetasve është e pandarë.

Shoqëria “AGI KONS” me pronar shtetasin Genti Sula ka përfituar një pafundësi ndërtimesh në Tiranë. Gjithashtu, në informacion përmendet se shtetasi Erion Veliaj aktualisht posedon 3 vila në Fshatin Rezidencial në Qerret Kavajë të ndërtuar nga shoqëria Agikons e shtetasit Genti Sula. Një nga këto vila posedohen nga vëllai i shtetasit Erion Veliaj, ndërsa dy të fundit i ka të shembur, ndërkohë që të dyja vilat ekzistuese i ka rikonstruktuar. Sipas kallëzuesit kap shifrën e rreth 500 mijë Euro. Ndodhur në të tilla rrethana, kallëzuesi shpjegon se shtetasi Erion Veliaj e ka trashëguar, duke fshehur rreth 500.000 Euro me qëllim rigjenerimin e hapësirave shtesë. Për prishjen e objektit janë përdorur makineritë e Ujësjellësit Kavajë. Në këtë pikë, kallëzuesi shton pyetjen nëse për këtë shpenzim është marrë apo nuk është marrë një leje apo ekziston ndonjë faturë që e dokumenton këtë shpenzim.

Sipas SPAK, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij janë pronar të këtyre vilave dhe i frekuentonin ato me shpeshtësi. Provë për këtë, thotë SPAK, është fakti se nga tabulatet e kompanisë telefonike, rezulton se telefoni i tij ishte lidhur me antenat e kompanisë në Qerret.

Edhe administratori i kompleksit, Maksim Greva, ka konfirmuar për SPAK se vila frekuentohej nga Ajola Xoxa.

Gjithashtu, nga tabela e pagesave rezulton se ka qenë Erion Veliaj që ka kryer pagesat drejt shoqërisë që administronte vilat në Qerret, kompani në pronësi të Gentian Sulës.