Shqipëria po rregullon imazhin e saj në sytë e institucioneve ndërkombëtare në drejtim të korrupsionit. Në raportin e vitit 2024 të organizatës ndërkombëtare, “Transparency International”, Shqipëria u vlerësua me 42 pikë, 5 më tepër se në vitin 2023. Sipas Indeksit për Perceptim të Korrupsionit, Shqipëria pozicionohet kështu në vendin e 80 mes 180 shteteve në botë.
“Ky shtet, megjithatë, është lavdëruar për punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për, siç është thënë, kthimin e besimit të njerëzve në drejtësi, pas ngritjes së padive për ish-ministra, pjesëtarë të parlamentit dhe zyrtarë të tjerë. SPAK vazhdon të hetojë ish-presidentin, ish-kryeministrin dhe zyrtarë tjerë publikë të nivelit të lartë”, thuhej në raportin e TI, shkruan A2 CNN.
Por, me gjithë hapat para, “Transparency International” nuk i ka kursyer kritikat në drejtim të “Qeverisë Rama”.
“Qeveria e Shqipërisë, për shembull, ka nënshkruar marrëveshje të paqarta për investime të huaja me vlerë miliarda dollarë amerikanë, duke rrezikuar shkatërrimin e shtratit të lumit Vjosa”, thuhej më tej në raportin e TI.
Mali i Zi është shteti me nivelin më të ulët të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor me 46 pikë, ndjekur nga Kosova me 44 pikë. Me Shqipërinë që qëndron në mesin e tabelës së klasifikimit, pas saj renditen Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.