Përplasje mes komisionerëve, Policia intervenon tek “1 Tetori”

Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të partive, është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës.

Siç raporton Klan Kosova, komisionerët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë përplasur mes vete për një votë, teksa pamjet nga ky moment janë publikuar nga ATV.

Gazeta Online Reporteri.net e ka pyetur Policinë për këtë rast, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.86 për qind të votave pas numërimit të 97.57 për qind të votave, sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përditësuara në ora 18:32.

Deri tani, PDK renditet e dyta me 22.04%, LDK e treta me 17.62%, kurse AAK 7.45%.

Ndërsa Koalicioni Lista për Familje ka marrë 2.29%.