Katër shtetasit turq të dëbuar përfundojnë dënimin në Turqi, kthehen në Kosovë – propozohet dëgjimi i tyre si dëshmitarë

Në seancën e rigjykimit të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja e rastit Habibe Salihu, i ka propozuar Gjykatës që të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve, katër të dëmtuarit në rastin e njohur si “Gylenistët”.

Në këtë rast, Driton Gashi në cilësinë e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), akuzohet se ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova duke shkelur procedurat ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Meqenëse janë prezent edhe vetë palët e dëmtuara, nga të cilët jemi njoftuar se e kanë përfunduar dënimin e shqiptuar nga organet e Turqisë dhe kanë hyrë në Kosovë në mënyrë të ligjshme, propozoj që katër të dëmtuarit të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarit”, tha Salihu.

Propozimin e prokurores e mëbështeti edhe mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Urim Vokshi.

Vokshi tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin paraprak dhe se vetë prezenca e palëve të dëmtuara të cilët kanë hyrë në Kosovë në mënyrë të ligjshme, dëshmon qartë se nuk kemi të bëjmë me cenim të sigurisë kombëtare nga të njëjtit.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Driton Gashi, avokati Florent Latifaj tha se nuk është e logjikshme të dëgjohen pala e dëmtuar në cilësinë e dëshmitarëve, pasi që personat të cilët kanë qenë përgjegjës për dëbimin e tyre nga Kosova, janë liruar nga akuza me aktgjykim të formës së prerë, dhe se dëshmia e tyre nuk lidhet asgjë me të mbrojturin e tij.

Avokati Latifaj tha se Prokuroria për asnjë moment nuk ka arritur të vërtetojë se i akuzuari Gashi ka keqpërdorë detyrën zyrtare apo tejkaluar kompetencat, por ka vepruar ashtu siç kanë rekomanduar hetuesit e AKI-së.

Po ashtu, ai tha se pala e dëmtuar nuk kanë kryer vepër penale, por kanë cenuar sigurinë duke u infiltruar në organet e sigurisë.

Në këtë seancë, prokurorja Salihu ka propozuar që të dëgjohet sërish dëshmitari Shkelzen Sopjani.

Këtë propozim, e kanë mbështetur edhe mbrojtja e palës së dëmtuar dhe mbrojtësi i të akuzuarit.

Lidhur me këto propozime, kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani-Hajra tha se do të vendosin jashtë seance.

Më 19 korrik 2023, Themelorja e kishte shpallur fajtor ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, duke e dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, derisa Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylemani ishin liruar nga akuza.

Por, në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim vetëm sa i përket pikës I të dispozitivit ndaj të akuzuarit Driton Gashi, ndërsa ka vërtetuar lirimin nga akuza për dy të akuzuarit tjerë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.

PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejt në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohej se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23 mars 2018 deri më 29 mars 2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletë-udhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.

PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, drejtor i DMH, pranë MPB, më 29 mars 2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99, par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM.

Ndërsa, thuhet se urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97, par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97, paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe deportojë të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoi dëm moral dhe material të dëmtuarve.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Po ashtu, prokuroria e akuzonte Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoi kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe deportuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29, par.2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.

Me këto veprime, PSRK e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196, par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal.