Mijëra shqiptarë vizitojnë Romën çdo vit, por shumë pak e dinë që kolona e ngritur nga perandori Trajan në Forumin Roman përmban peizazhe të Ilirisë antike.
Nga Eduard Shehi
Në vitin 113 pas Kr. perandori Trajan (98-117) ngriti në Forumin e Romës një kolonë gjigante, e cila do të shërbente njëkohësisht si monument për veten e tij dhe si një përkujtimore e veprës së tij. Kjo kolonë paraqiste në 155 relieve të gdhendura në një spirale të vazhdueshme historinë e dy fushatave ushtarake të perandorit Trajan kundër Dakëve. Ndër shekuj interesi më i madh i studiuesve është përqendruar në relievet që e rrethojnë kolonën dhe në interpretimin e tyre. Detajet arkitektonike të këtyre relieveve kanë qenë në qendër të një debati të gjatë, në bazë të të cilit ishte pyetja nëse monumentet e paraqitura në kolonë kanë ekzistuar realisht apo ishin krijesë e fantazisë artistike. Duke filluar nga viti 1920 hidhet së pari propozimi nga studiuesit se përshkrimi i monumenteve të qyteteve kryesore të paraqitura në kolonë ishte me shumë gjasa i saktë, ndërsa vendet me rëndësi dytësore nuk paraqiteshin me të njëjtën saktësi. Nga ky moment studiuesit ndahen në dy grupime, duke pranuar ose hedhur poshtë vërtetësinë e ekzistencës reale të monumenteve. Ndër dhjetëvjeçarë studiuesit shpreheshin herë për përdorimin e abstraksioneve dhe fantazisë në përbërjen e skenave, e herë se ka aspekte të qarta të realizmit për skenat më të rëndësishme, të lidhura me elementet arkitektonike dhe detajet ushtarake. Pavarësisht mendimeve të kundërta, edhe nga grupi që hidhte poshtë vërtetësinë e e monumenteve, të paktën në një përfaqësim, në skenën 99, janë detyruar të pranonin se ura e paraqitur aty ka ekzistuar realisht dhe ishte ajo mes Drobeta dhe Pontes në Rumani, njohur edhe nga burime të tjera historike dhe arkeologjike. Po ashtu, u pranua edhe paraqitja reale e portit të Brindisit dhe e monumenteve përqark tij. Për rrjedhojë, bazuar tek ky fakt, studimet përkatëse kanë analizuar mundësinë që monumentet e paraqitura, jo vetëm ato të qyteteve kryesore, të kenë ekzistuar me të vërtetë. [1]
Koncepte të tilla teorike do të vazhdojnë të jenë objekt diskutimi në të ardhmen, duke u ndikuar nga bindjet personale dhe sfondi akademik i studiuesve. Ajo që mbetet gjerësisht e pranuar është fakti se në të janë te paraqitura disa monumente që realisht kanë ekzistuar. Prandaj, nisur nga këto shembuj të vërtetë në relievet e kolonës së Trajanit, ndërmorëm studimin për të vlerësuar nëse mund të identifikonim në të edhe peisazhe nga qytetet e Ilirisë së Jugut.
Siç pranohet përgjithësisht, relievet e gdhendura janë të organizuara në një rend kronologjik: kalimi i Danubit dhe operacionet e Luftës së Parë Dake (vitet 101–102 pas Kr.); kalimi i Adriatikut dhe Ballkanit, i ndjekur nga operacionet e Luftës së Dytë Dake (vitet 105–107 pas Kr.). Si të tilla, deshifrimi i detajeve të relievit përbën një burim të jashtëzakonshëm informacioni mbi vendet ku perandori Trajan dhe shpura e tij kanë marshuar realisht.
Një nga çështjet më të diskutuara lidhet me itinerarin e ndjekur nga perandori Trajani për tu drejtuar drejt kufijve lindorë të Perandorisë. Pika bazë e të gjithë studiuesve lidhej me identifikimin e portit italian nga i cili u bë nisja. Megjithatë, momenti i vetëm i nisjes nga Italia i paraqitur në reliev është ai i Luftës së Dytë Dake, pas largimit nga Roma më 4 qershor 105. Kjo skenë ofron informacione të rëndësishme për identifikimin e portit: një vijë uji e rrethuar nga një brez toke (identifikuar si hapësira e portit), në një cep të së cilës qëndron një hark triumfi me tre skulptura mashkullore mbi të; në të majtë të tij shfaqet një tempull dhe në të djathtë një kantier ndërtimi.
Disa studiues kanë propozuar identifikimin me Ankonën, duke identifikuar tempullin me atë të Venusit dhe harkun me atë të Trajanit. Kjo përqasje ka sjellë një sërë propozimesh mbi portet e zbarkimit, duke filluar së pari me portin e Salonës ose Zarës, si dhe qytetin e Sirmiumit. Një tjetër hamendësim, duke marrë gjithmonë Ankonën si pikënisje, është shprehur për portet Pola-Trieste-Grado/Aquileia, ose Ravenna-Aquileia-Trieste. Në një tjetër propozim, flitej se perandori Trajan pasi zbarkoi në Zarë udhëtoi drejt jugut, nga portet e Dalmacisë në Lezhë, dhe më pas ndoqi rrugën tokësore drejt Naissus.
Një hamendësim tjetër, më pak i mbështetur, propozonte një rrugë më të ndërlikuar drejt Detit të Zi, duke identifikuar qytetet me vendbanime romake përgjatë Danubit.
Një mendim i tretë, që ka fituar popullaritet mes studiuesve, e hedh poshtë Ankonën si portin e nisjes, pasi harku triumfit atje u ndërtua gjatë viteve 114–115, pra pas nisjes së perandorit për Luftën e Dytë Dake në vitin 105. Për më tepër, duke qenë një përkushtim për Trajanin nga motra dhe gruaja e tij, ky monument nuk përputhet me praninë e tre skulpturave mashkullore. Si rrjedhojë, nuk ishte Ankona ajo që u përdor si sfond nga skulptori. Në vend të saj studiuesit kanë identifikuar harkun e triumfit me atë të ndërtuar në nder të Augustit në Brindisi, ashtu si dhe monumentet e tjera të paraqitura rrotull portit Italian të nisjes.
Me ndryshimin e portit të nisjes, ndryshon edhe porti i zbarkimit. Por, edhe studiuesit që identifikojnë Brindisin si pikën e nisjes hamendësojnë drejtime të ndryshme për të arritur në tokat e Ilirisë së Jugut.
Durrësi si porti i zbritjes, prej nga ku Trajani dhe shpura e tij lëvizi drejt Lezhës; Durrësi si porti zbritjes, por duke vazhduar me rrugë tokësore drejt brendësisë së Ballkanit, nëpërmjet Via Egnatias.
Një tjetër studim favorizon zbritjen në Apoloni, pasi largësia mes saj dhe Brindisit ishte më e shkurtër. Më pas udhëtimi ka vazhduar me rruge tokësore drejt Durrësit, Lezhës dhe më pas Naissus. Një mendim i fundit propozon zbritjen në Apoloni, kryerje të përkushtimeve në Durrës, dhe udhëtimin drejt Naissus duke shmangur Lezhën.
Pavarësisht këtyre hamendësimeve, deri më tani nuk është kryer ndonjë krahasim midis elementëve arkitektonikë të monumenteve të gdhendura në kolonë dhe të dhënave arkeologjike mbi strukturat e qyteteve përkatëse të Ilirisë së Jugut, siç është bërë në rastin e qytetit-port italian të Brindisit. Për këto arsye ne realizuam një studim të detajuar, duke marrë për bazë të dhënat e njohura nga kërkimet arkeologjike në qytetet Apoloni, Durrës dhe Lezhë, e duke i krahasuar relievet e kolonës në rendin që përkon me zbarkimin në Ilirinë e Jugut, nga jugu drejt veriut. Teksti që po paraqesim është një përmbledhje e shkurtër studimit në fjalë.
Apoloni: zbarkimi dhe hyrja në qytet (skenat 80-85)

Zbritja në portin e Apolonisë
Pas nisjes nga Brindisi, flota romake paraqitet në lundrim drejt bregut tjetër. Porti i mbërritjes shfaqet me një harkadë, mbushur me banorë të qytetit në pritje të perandorit. Në plan të parë shfaqet një ndërtesë me çati me tjegulla brenda një strukture me portik, që mund të identifikohet si një tempull hipaethral.
Në skenat 81-82 perandori Trajan ka hyrë tashmë në qytet, dhe para tij gjenden përfaqësuesit e elitës qytetare. Një grup tjetër qytetarësh është i vendosur përballë tyre, duke kaluar mbi një strukturë të ngjashme me një urë ose një mol të harkuar. E gjithë ceremonia zhvillohet përpara një portiku të zbukuruar me kolona dhe kapitele korintike, i mbuluar me çati. Brenda portikut ravijëzohet tempulli i gdhendur edhe në skenën pararendëse, prej të cilit janë të dukshme tashmë vetëm tympanoni dhe çatia. Pozicioni i tij qartazi ishte në një nivel më të ngritur sesa porti lumor. Në këndin e djathtë shfaqet përsëri një pjesë e portit, e përfaqësuar nga dy anije bireme. Midis procesionit dhe anijeve ngrihet një strukturë rrethore, trekatëshe, ndoshta një far.
Skenat 83-85 i takojnë të njëjtës ceremoni brenda të njëjtit qytet. Në pjesën qendrore shfaqet perandori, përpara të cilit zhvillohet një sakrificë, pranë dy altarëve. Në këndin e djathtë, është i dukshëm një mur mbrojtës me një portë dhe mbi mur shfaqen dy legjionarë.
Monumentet e dukshme që mund të krahasohen me struktura të njohura nga Apollonia janë porti dhe tempulli. Porti paraqitet me një formë të harkuar, me anije të gdhendura në të dy anët. Apolonia kishte një port lumor dhe anijet duhej të ndiqnin meandret e lumit për të arritur në mol. Një koncept i tillë përkon shumë mirë me formën se si relievet paraqesin anijet pranë portit. Pozicioni i portit të Apolonisë është dokumentuar nga gjetja masive e blloqeve të gurta poshtë kodrës së Shtyllasit, që përputhet shumë mirë me pozicionin e molit në relievin e kolonës. Ndërsa pozicioni i tempullit në reliev përputhet me atë të tempullit të Shtyllasit. Ky kombinim port-tempull do të duhej të përfaqësonte çdo paraqitje të mundshme të portit të Apolonisë.
Procesioni që hyn në qytet përmes një porte të thjeshtë mund të lidhet me gjendjen e rrënuar të fortifikimeve të Apolonisë në fillim të shek. II pas Kr., pasi nuk kishte më nevojë të mirëmbaheshin kështjellat në kuadër të Paqes Romake. Ndërsa fortesa e vogël në skenën 85, e cila lartësohej brenda në qytet, përputhet shumë mirë me akropolin ushtarak në kodrën 101 m të Apolonisë. Territor ky i njohur nga gërmimet arkeologjike si një pozicion i mbrojtur me mure masive.
Durrësi: ndërtesa publike në breg të detit (skena 86)

Zbritja dhe vizita në Durrës
Kalimi drejt një qyteti tjetër kuptohet qartazi nga gdhendja e elementëve arkitektonikë që ravijëzojnë një tjetër port. Procesioni i udhëhequr nga perandori kalon nëpër një mol të gjatë, me një strukturë harkore mbi nivelin ujor. Në të majtë, shoqëruesit e perandorit zbresin nga një anije. Në të djathtë paraqiten disa qytetarë tek drejtohen për nga perandori. Në sfond duken monumentet e një qyteti, ku ndërtesa më tërheqëse përfaqësohet nga një fasadë komplekse. Në këtë rast diskutohen dy interpretime të ndryshme: një hark triumfi me hyrjen kryesore të mbuluar me qemer e zbukuruar me kolona jonike dhe në sfond shkallët e një teatri. Interpretimi i dytë e konsideron këtë strukturë si një teatër me ballinë monumentale. Në të majtë të këtij monumenti ndodhet një kolonadë në stilin korintik. Më tej në sfond një mur mbrojtës me një portë të madhe tregon se skena zhvillohet brenda mureve të qytetit. Pas fortifikimeve, janë të dukshme harqet e një ujësjellësi dhe një fragment anijeje në sfond.
Në të djathtë të skenës duken struktura të tjera: një ndërtesë dykatëshe, e pasuar nga një tempull me një fronton të ngritur mbi katër kolona; një ndërtesë dykatëshe me çati, me kolona në katin përdhes dhe dritare në katin e parë. Skena përfundon me një mur mbrojtës.
Kompozimi i skenave përkatëse tregon qartë topografinë e një gadishulli, ndërtuar në një kodër, i pajisur me një fortifikim në formë gjysmërrethi, dhe një mol të gjatë në bregdet. Topografia e Apolonisë nuk ka asnjë lidhje me atë që paraqitet në reliev. Porti lumor i qytetit ndodhej shumë larg nga zona monumentale. Ndërsa Durrësi antik ishte ndërtuar mbi një gadishull, i hapur drejt detit, i mbrojtur nga një fortifikim gjysmërrethor. Paraqitja e detit në skenën e kolonës dhe vendosja e anijes së dytë në këndin e sipërm të majtë japin të njëjtin imazh si topografia e gadishullit të Dyrrachium.
Forma e paraqitjes se mureve fortifikuese në reliev tregon për një planimetri të harkuar që zbret nga kodrat drejt fushave, pranë bregdetit. Pjesa perëndimore e fortifikimeve të periudhave para-romake dhe romake të Durrësit është shumë e ngjashme me imazhin e relievit.
Pozicioni në të cilin paraqitet ujësjellësi në reliev, poshtë kodrave, përputhet shumë mirë me ujësjellësin e vogël të Durrësit. Ai fillonte në pjesën veriore të kodrave dhe vazhdonte drejt jugut, deri sa hynte në qytet. Një pozicion shikimi nga bregdeti i Gjirit të Durrësit do të duhej të skiconte të njëjtin imazh si është gdhendur në relievin e kolonës së Trajanit.
Çështje më vete përbën kompleksi monumental në qendër të skenës së gdhendur. Nëse ky kompleks do të shikohej si një teatër dhe hark triumfi, do shfaqte shumë ngjashmëri me harkun dhe odeonin e Apollonisë. Portiku në të majtë të tij do të ngjasonte po ashtu me stoan me 17 nishe të Apollonisë. Por, detajet arkitektonike kanë dallime të dukshme me monumentet Apolonisë. Mbi të gjitha, pozicioni topografik i të gjithë skenës e eleminon identifikimin me këtë qytet. Megjithëse në Durrës ende nuk është zbuluar se ku gjendej teatri antik, ne kemi hedhur tashmë një mendim se ku duhet kërkuar, në një zonë që fatmirësisht i ka shpëtuar dëmtimeve masive dhe pret kazmën e arkeologut. Bëhet fjalë për shpatin e kodrës në lindje të Sheshit Liria, që gjendet përballë gjirit detar, shëmbellyer për nga vendosja me relievin e kolonës.
Lezha antike: nga lundrimi detar në rrugë tokësore (skenat 87-89)
Skena që simbolizon një tjetër lundrim detar fillon me një anije me vela të ankoruar pranë një peisazhi shkëmbor. Perandori, së bashku me shoqëruesit e tij, paraqitet përballë një qyteti të fortifikuar, prej të cilit dallohen dy mure të lidhura me kënd të drejtë mes tyre. Në dy faqet e mureve fortifikuese dallohen dy hyrje. Hyrja kryesore, e vendosur në të djathtë, është një strukturë monumentale me dy kanate. Në të majtë, në linjën tjetër të murit fortifikues ndodhet një hyrje e dytë, por shumë më e thjeshtë. Brenda mureve dallohet një portik me një strukturë qendrore dhe një ndërtesë me çati dhe dy dritare. Jashtë mureve, në të dyja anët, shihen të tjera ndërtesa. Në të majtë ndodhet një ndërtesë e vogël, në të djathtë, afër hyrjes kryesore të fortifikimeve paraqitet një ndërtesë dykatëshe në pamje ballore.
Në këndin e djathtë të skenës, perandori dhe shoqëruesit e tij paraqiten tashmë mbi kuaj, tregues i qartë i fillimit të një udhëtimi nëpërmjet rrugëve tokësore, me qytetin e fortifikuar në sfond.
Peizazhi shkëmbor pranë bregdetit, ku ndodh zbarkimi, përputhet mjaft mirë me pozicionin e propozuar nga studiuesit për portin detar të Lezhës antike. Bazuar në studimet gjeologjike, ky port është identifikuar në një gji të vogël midis dy kodrave shkëmbore, jo shumë larg qytetit, pranë ish-stacionit të dikurshëm hekurudhor.
Gërmimet arkeologjike kanë treguar se në pjesën e poshtme të qytetit fortifikimet kishin një formë drejtkëndore. Muret kishin tre porta – dy prej tyre, ajo veriore dhe ajo jugore, ishin përballë njëra-tjetrës, të lidhura me një rrugë; hyrja e tretë ishte në perëndim, duke krijuar një lidhje midis qytetit dhe portit lumor. Porta jugore, e zbuluar plotësisht, është më e madhja dhe më e mbrojtura, me një korridor të gjatë të mbrojtur me dy kulla jashtë dhe dy brenda. Pozicioni i përgjithshëm i fortifikimeve në kolonën e Trajanit është shumë i përafërt me konfigurimin e qytetit të poshtëm antik të Lezhës. Nëse do të vendoseshim në këndin jugperëndimor të tij, pranë lumit Drin, tek shkallët e bibliotekës së qytetit, do të kishim të njëjtin kënd pamjeje me relievin e kolonës së Trajanit.
Vendndodhja e një ndërtese të madhe jashtë mureve, pranë portës jugore, është një tjetër ngjashmëri mes realitetit dhe kolonës. Pikërisht në atë pozicion, jashtë mureve, janë ende të dukshme sot në Lezhë termat publike, të gërmuara në vitet 70 dhe që vazhdojnë të jenë të vizitueshme.
* * *
Synimi i krijuesve të këtyre skenave ishte i dyfishtë në formën e zgjedhur për paraqitjen e qyteteve-porte. Artistët kanë synuar një identifikim të qartë midis porteve të ndryshme duke përshkruar pozicionet e tyre me dallime të qarta gjeomorfologjike dhe duke zgjedhur monumentet më të spikatura të qyteteve reale që ishin pjesë e udhëtimit të perandorit. Prandaj do të merrte kuptim edhe paraqitja reale e tre qyteteve të Ilirisë Jugore në frizin e kolonës, përmes elementëve kryesorë që i dallonin nga njëri-tjetri.
Duke e përmbledhur propozimin tonë në formë të shkurtuar, rrugëtimi i Trajanit ka filluar me kapërcimin e Detit Adriatik dhe zbarkimin në Apoloni. Më pas një udhëtim detar nga jugu në veri me dy ndalesa. Se pari në Durrës, dhe pas një vizite në qytet udhëtimi ka vazhduar drejt Lezhës. Nga këtu perandori Trajan është nisur drejt brendësisë së Ballkanit, në drejtim të Nishit, duke ndjekur luginën e lumit Mat.
Do të ketë gjithmonë studiues që do të theksojnë se përpjekja për të identifikuar ngjashmëri midis qyteteve reale dhe pozicioneve topografike të përshkruara në skena është një “realitet i sforcuar”, dhe se ne po i atribuojmë emra qytetesh paraqitjeve artistike që nuk bazoheshin në shembuj të vërtetë. Megjithatë, edhe duke marrë parasysh këtë aspekt, gjetja e disa ngjashmërive të rëndësishme me tre qytete ilire radhazi e tejkalon prirjen për të “sforcuar realitetin”. Ka më shumë ngjashmëri sesa mospërputhje që e lidhin identifikimin e tre qyteteve ilire me kompozimet e skenave që përfaqësojnë udhëtimin e dytë të perandorit Trajan drejt Dakisë. Prandaj besojmë se detajet individuale të njohura në këto qytete, kur analizohen veçmas, mund të duken rastësore dhe për pasojë të pavlera. Por, kur skenat e ndryshme të udhëtimit ndjekin një rend të kuptueshëm dhe njohja e një vendbanimi mbështetet nga njohja e të tjerëve në skenat pasuese, atëherë këto detaje marrin një rëndësi të konsiderueshme që nuk mund të neglizhohet./Reporter.al
