Më 25 shkurt të vitit 1877, lindi studiuesi dhe albanologu i shquar austriak, prof. dr. Norbert Jokli.
Ai ishte filolog austrohungarez e austriak me prejardhje hebreje. Njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë. Por, para se të njihej si albanolog i madh ai ishte i çmuar si studiues i filologjisë balto-sllave, si dhe oberstaats bibliothekar i Universitetit të Vjenës. Jokli la një trashëgimi të pasur studimesh për shqipen. Ndër veprat e tij monografike përmendim “Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” (Vjenë 1911), “Kërkime gjuhësore – kulturë historike nga fusha e shqipes” (Berlin 1923) që është edhe kryevepra e tij, “Kontribute gjuhësore për paleoetnologjinë e Gadishullit Ballkanik” (Vjenë 1984), si dhe një varg punimesh e artikujsh në revista të specializuara. Në studimet e tij ai i kushtoi vëmendje në radhë të parë leksikut të trashëguar të shqipes, duke arritur të shpjegojë burimin vendas të një numri fjalësh që më parë mbaheshin si huazime nga gjuhët e tjera.
Në studimet për gramatikën historike ai përforcoi në mënyrë përfundimtare tezën e pohuar së pari nga Franz Boppi për karakterin indoeuropian të gjuhës shqipe. Mbaroi shkollimin e tij shkëlqyeshëm (“summa cum laude”) dhe do të konsiderohej që në rini, si një nga studiuesit më të mirë të kohës në fushën e gjuhësisë e kryesisht në lëmin e gjuhëve indo-evropiane.
Albanologu do të hidhte vëmendjen e tij studimore në gjuhën tonë, duke kryer studime të kalibrit botëror. Në mbështetje edhe të studimeve të Gustav Majerit e të Pedersenit, Jokli do e cilësonte shqipen si vazhdimësi të ilirishtes dhe të trakishtes. Me ardhjen në fuqi të nazizmit në Austri, studiuesi do të përndiqej për shkak të origjinës së tij hebraike. Kundërvënia ideologjike ndaj prejardhjes së tij do t’i kushtonte edhe jetën. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave disponon një sërë letërkëmbimesh me albanologun mbi fusha të ndryshme të studimit të kulturës shqiptare. Pati lidhje të pandërprerë edhe me intelektualë shqiptarë të kohës së tij, si për shembull me Fishtën, Konicën, Xhuvanin, Koliqin e shumë të tjerë. Më 1937 vizitoi për herë të parë e të fundit Shqipërinë, ku me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Jokli u nderua me çmimin “Urdhni i Skënderbeut”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave disponon një sërë letërkëmbimesh me albanologun mbi fusha të ndryshme të studimit të kulturës shqiptare.
KONTRIBUTI
Norbert Jokli u lind në Bisenz në Moravinë e Jugut (sot pjesë e Republikës Çeke), bir i Heinrich dhe Emilie Haas. Vëllai i tij i madh, Vilhelmi, vdiq më 1895 në moshën 21 vjeçare. Norberti përfundoi shkollimin e mesëm me nota të shkëlqyera dhe hyri në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Vjenës. Ku u laureua me summa cum laude më 23 qershor 1901. Pasi punoi një periudhë si stazhier ligjor, por më vonë vendosi t’i përkushtohej gjuhësisë. Studioi për gjuhësi indoevropiane, sllavistikë dhe romanistikë, duke u laureuar edhe aty me vlerësimet më të larta. Vjeshtën e 1903 filloi punën si stazhier në bibliotekën e Universitetit të Vjenës, ku punoi deri më 1938. Në moshën 30 vjeçare, nisi të thellohej në studimin e gjuhës shqipe duke ndjekur kursin e Gjergj Pekmezit, asokohe lektor i shqipes në universitetin vjenez. Më pas përforcoi njohuritë si autodidakt me ndihmën e studentëve dhe shqiptarëve të atëhershëm në Vjenë. Më 1913 ai qe Privatdozent në hullinë e “Gjuhësisë indo-europiane me specialitet gjuhët baltike, sllave dhe atë shqipe”. Më 1923 u emërua Professor extraordinarius, dhe më 1937 Hofrat. Shkroi punime të shumta mbi albanologjinë dhe u bë specialist i shquar. Në prillin e 1933, paleontologu dhe albanologu Franc Nopça vrau sekretarin dhe veten e tij, dhe i la punimet e tij albanologjike trashëgim Joklit. Pasi Adolf Hitler mori pushtetin në Gjermani, dorëshkrimet e Joklit nisën t’i refuzoheshin dhe ai nuk ftohej më nëpër konferenca. Më 20 maj 1938, u shkarkua si rrjedhojë e Anschluss-it të Austrisë dhe iu ndalua aksesi në mjediset e ish-vendit të punës. Dekani i Fakultetit të Filozofisë, Viktor Christian, u përpoq ta shpëtonte nga pushimi prej punës, por ishte e kotë. Më tej gjatë atij viti aplikoi (me mbështetjen e dekanit) që të vlerësohej si “person me gjak të përzier të shkallës së parë” në mënyrë që të kishte akses nëpër biblioteka. Aplikimi iu refuzua. Georg Solta, që u bë profesor i gjuhësisë indo-europiane, e vizitonte shpesh vitet që pasuan që të mbante kontakt me prijësin e tij akademik dhe të thellonte studimet në indoeuropianistikë. Sipas dëshmive të lëna nga Solta, Jokli bënte jetë asketi, dy dhoma të shtëpisë së tij ishin të mbushura me libra, merrej vetëm me kërkime, dhe një shërbëtore i përgatiste për të ngrënë.
PËRPJEKJET
Duke ditur pozitat e tij, ish-studenti i tij Lasgush Poradeci i drejtoi një letër qeverisë shqiptare të kohës për ta ftuar që të punonte në Shqipëri, por përpjekja e tij u ndërpre nga pushtimi italian. Pas pushtimit, autoritetet shqiptare dhe filologu italian Karlo Taliavini u angazhuan po ashtu që ftonin në Shqipëri duke i ofruar punësim, ku do të merrte edhe bibliotekën e tij. Jokli u arrestua më 4 mars 1942 në banesën e tij Vjenë, ku dy nëpunës të Gestapos e morën prej shtëpisë së tij në Neustiftgasse 76 dhe e futën në paraburgim së pari në Sperrgasse e mandej në kazermën Rossauer në Vjenë. Disa studiues austriakë pohojnë se Jokli vdiq nën tortura në kazermën Roßauer në Vjenë, ndërsa të tjerë pohojnë se vdiq në kampin e përqëndrimit të Maly Trostinec-it, një lokalitetit rreth 12 km në juglindje të Minskut. Dokumentet që përshkruajnë itinerarin e transportit dhe ndalesat e ndryshme, vë në dukje faktin se më datë 9 maj, kur treni mbërriti në Kajdanowo, në afërsi të Minskut, kishin vdekur 3 burra dhe 5 gra prej hebrenjve të internuar. Datë zyrtare se kur ndërroi jetë jepet 11 maji i 1942.
NDERIMET
Më 29 prill 1982 senati i Universitetit të Vjenës vendosi emrin e Norbert Joklit në tabelën e nderit të universitetit. Mbas një pune të zellshme dhe të pandërprerë i shkoi për dore të botojë veprën më titull “Studien zur albanesischen Etymologie und Ëortbildung” (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes). Në këto studime i kushton një rëndësi të posaçme leksikut të trashëguar të shqipes: në 101 faqe trajton fjalët burimore shqipe, ndërsa 13 faqe ua kushton huazimeve të saj. Këtu dëshmon për burimin e një numri të madh fjalësh, që G. Meyer i merr për huazime të shqipes. Kjo vepër merret si arritja më e rëndësishme në fushë të shqipes pas fjalorit etimologjik të Meyerit. Etimologjia zë vendin e parë në gjurmimet e tij në fushë të leksikut të shqipes, kjo qe lëmia ku edhe kontribuoi më shumë, por një rëndësi të tillë i kushtoi edhe morfologjisë dhe fjalëformimit, kurse në fushë të fonetikës për periudhën parahistorike ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë dhe në konsonantizëm.
Norbert Joklit botoi veprën më titull “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung” (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes). Në këto studime i kushton një rëndësi të posaçme leksikut të trashëguar të shqipes: në 101 faqe trajton fjalët burimore shqipe, ndërsa 13 faqe ua kushton huazimeve të saj. Këtu dëshmon për burimësinë e një numri të madh fjalësh, që G. Meyer i merr për huazime të shqipes. Kjo vepër merret si arritja më e rëndësishme në fushë të shqipes pas fjalorit etimologjik të Meyerit. Etimologjia zë vendin e parë në gjurmimet e tij në fushë të leksikut të shqipes, kjo qe lëmia ku edhe kontribuoi më shumë, por një rëndësi të tillë i kushtoi edhe morfologjisë dhe fjalëformimit, kurse në fushë të fonetikës për periudhën parahistorike ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë dhe në konsonantizëm. Jokli kishte punuar shumë edhe për një fjalor etimologjik të shqipes, mbi bazën e fjalorit të Gustav Meyerit, mbi të cilin kishte bërë shumë shënime anash faqeve. Për fat të keq, gjurmët e këtij fjalori humbën me deportimin e Joklit nga nazistët në kamp përqendrimi ku edhe vdiq në vitin 1942. Ai i bëri një shërbim të madh albanologjisë dhe njohjes së saj në botë edhe si bashkëpunëtor i Vjetarit Indoeuropian (Indogermanisches Jahrbuch) nga viti 1917 deri 1940, ku bëri një punë të madhe bibliografike, duke referuar mbi botimet më të reja të albanistikës./Panorama
