“The Globe” ka botuar, të mërkurën e 4 marsit 1914, në ballinë, një shkrim asokohe rreth pagës vjetore të Aleksandër Moisiun
Nga Aurenc BEBJA
Berlin, 2 mars 1914. Një sensacion të konsiderueshëm ka shkaktuar njoftimi se profesori Max Reinhardt ka lidhur një marrëveshje me aktorin e njohur Aleksandër Moisi, e cila i garanton këtij të fundit një pagë prej 5,000 £ në vit për disa vite. Përveç kësaj shume, raportohet se Moisiu fiton nëpërmjet aktrimit për kompanitë e filmave të kinemasë, dhe nga recitale dramatike dhe shfaqje speciale jashtë Berlinit, të paktën 5000 £ të tjera në vit, kështu që gëzon të ardhura aq të mëdha sa ato të Lordit të Lartë Kancelarit të Anglisë.Objektivi kryesor i marrëveshjes së profesorit Reinhardt me Moisiun është që ta mbajë atë më gjatë në Berlin.
Dikur aktori i shquar shfrytëzonte çdo mundësi për të dhënë shfaqje me çmime përrallore në një numër teatrosh kryesorë në pjesë të tjera të Gjermanisë, si dhe në Austri. Tani e tutje është zotuar të shfaqet në “Deutsches Theater” dhjetë muaj në vit, në vend të gjashtë deri më tani. Kjo marrëveshje do të vazhdojë deri më 1 shtator 1917. Aleksandër Moisiu ia detyron famën e tij Reinhardt-it, sepse ishte ai që e zbuloi. Me origjinë italiane, ai bëri debutimin e tij në teatrin e Vjenës disa vite më parë për tetëmbëdhjetë centë në mbrëmje. Moisiu luan rolet kryesore në të gjitha dramat e Shekspirit dhe shfaqjet e tjera klasike.

