Një zjarr shpërtheu në një sipërfaqe prej rreth 1000 metrash katrorë në një magazinë produktesh nafte në Tuapse në Rusinë jugore në bregun e Detit të Zi, për shkak të një sulmi me dron ukrainas.
Këtë e ka bërë të ditur guvernatori Veniamin Kondratyev, përcjell A2 CNN.
“Regjimi i Kievit sulmoi objektin mbrëmë dhe një prej tankeve që përmbante benzinë mori flakë”, citohet Kondratyev nga agjencia Interfax.
“Sipas të dhënave paraprake, nuk ka viktima. Shërbimet e urgjencës ndodhen në vendngjarje për të shuar flakët. Në shuarjen e zjarrit janë përfshirë 121 persona dhe 39 automjete”, shkroi ai në Telegram, përcjell A2 CNN.
Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin raportoi në kanalin e tij Telegram se “forcat e mbrojtjes ajrore zmbrapsën një sulm nga katër dronë që fluturonin drejt Moskës”. Kryebashkiaku më pas shtoi se “skuadrat e shërbimeve të urgjencës po punojnë në vendin ku ranë mbeturinat”.
Dëshmitarët thanë se “dëgjuan shpërthime dhe panë tym” në rajonin e kryeqytetit, raporton Ria Novosti.