Punimet për mirëmbajtjen e pasurisë kulturore Shtëpia e Pashko Vasës po vijojnë nga specialistët. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se janë restauruar ambientet e jashtme dhe të brendshme, duke u konsoliduar suvatimet e mureve për të garantuar ruajtjen dhe qëndrueshmërinë e ndërtesës, raporton ATSH.
Shtëpia e Pashko Vasës është një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shkodër. Punimet po realizohen duke respektuar teknikat e vjetra të restaurimit, me qëllim ruajtjen e autenticitetit të kësaj ndërtese historike.
Shtëpia, e cila ka një histori mbi 300-vjeçare, ka rëndësi historike e turistike. Ajo është e njohur jo vetëm si vendlindja e Pashko Vasës, por edhe si selia e degës së “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, përcjell KosovaPress.
Shtëpinë e rrethojnë muret e larta karakteristike të Shkodrës dhe në oborrin e saj ndodhen ende pusi i gurtë, lugu prej guri i larjes së rrobave, govata prej guri për shpëlarjen e rrobave dhe shkalla prej guri të latuar. Sot, kjo shtëpi, është Monument Kulture, Kategoria e parë dhe i është kthyer si pronë private trashëgimtarëve, prej vitit 1971.