Të lidhur me zinxhirë në këmbë e duar, Trump deporton kriminelët venezuelas

Presidenti amerikan, Donald Trump postoi në rrjetin social Truth një video të publikuar nga qeveria e El Salvadorit që tregon deportimin e më shumë se 200 anëtarëve të dyshuar të bandës venezueliane Tren de Aragua nga Shtetet e Bashkuara në El Salvador.

Klipi shfaq ata që Trump i quan “përbindësha”, me duart dhe kyçet e tyre të lidhura, duke dalë nga një aeroplan, për t’u future në autobusë nga policia e trazirave.

Videoja tregon gjithashtu se burrat po transportohen në burg në një kolonë të madhe autobusësh të ruajtur nga policia dhe ushtria.

Të arrestuarit më pas rruheshin në gjunjë përpara se të visheshin me uniformë të bardhë dhe të futeshin në qeli.

Për të deportuar menjëherë anëtarët e Tren De Aragua, një bandë venezueliane e cilësuar nga SHBA si një organizatë terroriste, Donald Trump përdori Aktin e Armiqve të huaj të vitit 1798.

Ligji shekullor, i përdorur vetëm tre herë deri më tani (në Luftën e 1812, në Luftën e Parë Botërore dhe në Luftën e Dytë Botërore), lejon qeverinë të arrestojë, ndalojë dhe dëbojë emigrantët ilegalë që konsiderohet si kërcënim, pa iu dhënë atyre një të drejtë për një seancë dëgjimore në gjykatën e imigracionit.