Arlind Qori ironizon Lapajn: Jo koalicion me politikanë që fusin prindërit në lista

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka shprehur pritshmëri të larta për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke theksuar se partia e tij është në rritje të vazhdueshme dhe synon përfaqësim në të gjitha qarqet.

Ai u shpreh se në vitin 2023 Lëvizja Bashkë mori 5% të votave në Tiranë dhe tani pret një rezultat edhe më të lartë.

“Në vitin 2023 kemi marrë 5% të votave në Tiranë dhe tani presim të kemi shumë më shumë. Bazohem në dyfishimin e anëtarëve tanë, bazohem në ndjesinë në raport me qytetarët si edhe sistemi i vjetër politik është në një krizë identiteti të thellë. Lëvizja bashkë ndodhet në zgjedhje për të përfaqësuar ndryshimin. Ne do synojmë të përfaqësohemi me deputetë në të gjitha qarqet. Ne kemi listën tonë më të mirë në qarkun e Kukësit”, tha ai.

Duke kritikuar partitë e tjera, Qori theksoi se ato ose janë të korruptuara, ose janë krijime të establishmentit politik. I pyetur në lidhje me arsyet se përse Lëvizja Bashkë nuk ka bërë një koalicion, ai renditi arsyet e tij, ndërsa ka thumbuar koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, duke vënë në dukje përfshirjen e ish-deputetit Dashnor Sula dhe të babait të Lapajt në listat e kandidatëve për deputetë.

“Ne kemi parë që partitë e tjera janë tërësisht të ndryshme me ne, ose janë parti të korruptuara që kanë qeverisur, ose janë produkte të këtyre të fundit, ose janë të drejtuara nga politikanë jo parimorë që fusin ish-deputetë të partive që kanë sharë deri dje, të fusin prindërit në listat e deputetëve, etj. Niveli i seriozitetit është aq i ulët sa na ka distancuar gjithçka nga ta”, u shpreh Qori.