Tensionet në veri të Kosovës, Rama: Mos u fusni në këtë shteg të rrezikshëm, Kosova po dëmtohet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas trazirave në veri të Kosovës, ku mbetën të plagosur disa ushtarë të KFOR-it.

Sipas tij përgjegjësia për një situatë të tillë i takon dhunuesve, ndërsa fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve.

“Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova! Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm! Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare”, shkruan kreu i qeverisë.
Po ashtu, një reagim ka ardhur nga Ministrja e Punëve të jashtme, Olta Xhaçka.

Ajo u ka uruar shërim të shpejtë për ushtarët e KFOR-it që u plagosën pas përplasjes me protestuesit serbë. Sipas saj dhuna ndaj tyre dhe ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe duhet ndalur menjëherë.

“Sulmet e dhunshme të paprovokuara kundër forcave të KFOR-it dhe shtypit janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Shprehim mbështetjen tonë të plotë për KFOR-in dhe urojmë shërim të shpejtë për ushtarët e lënduar. Çtensionimi i situatës së krijuar është kyç në këtë moment. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe njohjes reciproke që do të sigurojë stabilitet të qëndrueshëm në rajonin tonë“, shprehet Xhaçka.

Për situatën në Kosovë ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Ai ka uruar shërim të shpejtë për ushtarët e KFOR-it që u plagosën në përplasjen e tyre me protestuesit serbë.

“Të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Dënojmë me forcë dhunën e përdorur ndaj trupave të KFOR, që po përpiqen për garantimin e sigurisë së qytetarëve atje. Dialogu dhe ulja e tensioneve, zgjidhja e vetme për një bashkëjetesë të mirë dhe stabilitet në rajon! Urojmë shërim të shpejtë për trupat e lënduar!”, tha ai.

Lidhur me këtë situatë, më herët ka reaguar dhe ish-kryeministri Berisha. Ai akuzon presidentin serb Aleksandër Vuçiç se në bashkëpunim me Kremlinin po kërkon destabilizimin e Kosovës.

Sipas Berishës, në Kosovë janë dërguar banda kriminelësh nga Beogradi si dhe ato serbe lokale. Ai shprehet se ushtarët e KFOR janë sulmuar nga kriminelë me maska e mjete të forta.

“Serbomadhi Vuçiç në bashkëpunim me Kremlinin, kërkon destabilizimin e Kosovës. Të dashur miq, Presidenti i serbomadhisë ka angazhuar fallangat e tij kriminale të dërguara nga Beogradi dhe bandat serbe lokale, në veprime të dhunshme kundër ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe policisë së Kosovës që po mbajnë rendin dhe sigurinë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Gjatë shpërndarjes së protestuesve serbë në këto komuna, ushtarët e KFOR-it janë sulmuar nga kriminelë me maska, me dhjetëra shok-bomba, mjete të forta dhe lëndë të tjera djegëse, shishe molotov, janë dëgjuar dhe të shtëna me armë. Gazetarët e Radios “Evropa e Lirë” kanë njoftuar se janë parë disa ushtarë të plagosur të KFOR-it dhe një veturë e këtyre njësive duke u djegur nga mjetet shpërthyese që janë hedhur. Ndërkaq, gazetarët në Zveçan raportojnë se një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë skenar të bashkrenduar të Beogradit me Kremlinin, sulmet kriminale të fallangave të gangsterëve serb kundër KFOR-it, ushtarëve të tij, gazetarëve dhe policisë së Kosovës”, deklaron Berisha.