Zbulohet “pazari” Biden- Erdogan

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe ai i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan kanë zhvilluar një bisedë telefonike në të cilën përveç urimit për rizgjedhjen në krye të shtetit, patën në fokus edhe tema të rëndësishme.

Referuar mediave ndërkombëtare, Erdogan ngriti çështjen e blerjes së avionëve luftarakë amerikanë F-16 , ndërsa Biden, nga ana e tij, i kërkoi Ankarasë të heqë pengesat që paraqet për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

“Ne do të flasim më shumë për këtë javën e ardhshme. Mezi pres të vazhdojmë të punoj së bashku si aleatë të NATO-s për çështjet dypalëshe dhe sfidat e përbashkëta globale ,” shkroi Biden në Tuitter.

Recep Tayyip Erdogan shtriu pushtetin në dekadën e tij të tretë, pasi siguroi fitoren ndaj rivalit Kemal Kilicdaroglu, në balotazhin e paprecedentë presidenciale, në një votim që reflektoi polarizimin e theksuar politik në Turqi.

Pavarësisht inflacionit të lartë që ka goditur vendin dhe kritikave pas tërmetit që rrafshoi qytete të tëra, Erdogan triumfoi me mbi 52 për qind të mbështetjeve ndërsa Kilicdaroglu mori 47,86 për qind.