“Do pasojnë ndëshkime të tjera për Kosovën, më vjen keq që u rrezikuan raportet me SHBA dhe BE për çështje që nuk ai vlejnë”

Për gjeneralin gjerman, Erhard Buhler, komandant i parë i KFOR-it në Kosovë, largimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga “Defender Europe 2023”, nuk do jetë “ndëshkimi i vetëm” për Kosovën pas refuzimit të kryeministrit Albin Kurti, që të koordinoi hapet për veriun me aleatët ndërkombëtarë.

“Mendoj se një reagim i tillë është shumë i ashpër. Dhe për fat të keq ndoshta nuk do të jetë i vetmi”, tha gjenerali gjerman në një intervistë për Albanian Post.

“Më vjen keq për ushtarët e ushtrisë së Kosovës, ministrin dhe gjeneralët të cilët po bëjnë përpjekje të mëdha për ta sjellë ushtrinë në standardet e NATO-s”, shtoi ai.

Kosova u largua nga “Defender Europe 2023”, por Buhler thekson se nuk ka dëgjuar ndonjë “reagim serioz” ndaj vendimit të papranueshëm të presidentit serb Aleksandër Vuçiç për të rritur gatishmërinë e ushtrisë serbe.

“Natyrisht, ai nuk do ta bëjë këtë përderisa NATO është e vendosur në Kosovë. Por ai është mjeshtër i përshkallëzimit dhe depërshkallëzimit në dëm të të tjerëve”, shtoi Buhler.

“Është krejtësisht e papranueshme që presidenti Vuçiç po rrit gatishmërinë e ushtrisë së tij dhe po e urdhëron të avancojë deri në kufirin me Kosovën. Këtu do të doja të shihja një kritikë nga ShBA-ja dhe BE-ja. Qeveria serbe është mjeshtër i përshkallëzimit dhe deeskalimit, vetëm për ta fajësuar Kosovën. Një metodë që është vërejtur prej vitesh, nuk duhet të gënjehemi nga kjo”, shpjegoi ai.

Buhler ka folur edhe situatën e tensionuar në komunat veriore të Kosovës, ku tri ditë më parë 41 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga protestuesit serbë në Zveçan, derisa po ndalonin turmën të futej në zyrat e objektit komunal.

“Unë besoj se përgjigja e KFOR-it ishte e përshtatshme dhe më proporcionale për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe në anën tjetër për të siguruar lirinë e lëvizjes për kryetarët e zgjedhur. Më vjen keq për çdo ushtar të lënduar të KFOR-it dhe shpresoj që autorët të ndiqen penalisht”.

“Por, për të kuptuar pse ndodhi ky përshkallëzim, duhet të shohim ngjarjet e gushtit dhe nëntorit 2022. Rruga e ngjarjeve të së hënës shpie nga të ashtuquajturat masa reciproke në gusht përmes dorëheqjes së përfaqësuesve politikë serbë dhe policëve serbë në nëntor, deri te zgjedhjet e reja në veri, bojkotimi i zgjedhjeve nga popullata serbe, rezultatet e njohura të zgjedhjeve deri në demonstratat e dhunshme të kësaj jave”, theksoi ai.

Tensioneve në Veri, sipas Buhlerit, ia ka paraprirë Qeveria e Kosovës kur mori vendim vitin e kaluar për largimin e targave ilegale nga Veriu me akronime KM, PZ dhe PR.

“Qeveria e Kosovës është pjesërisht fajtore”, meqë sipas tij, “nuk ia vlente”.

“Ishte ide e gabuar të rrezikoheshin marrëdhëniet e mira me BE-në dhe SHBA-në për targat”.

Si njohës deri në detaje i situatës në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, ai pohon se çështja e Veriut nuk zgjidhet me dhunë, as me nacionalizmin nga të dyja palët.

“Nevojitet pajtim dhe bisedime serioze që mund të çojnë drejt normalizimit. Pas kaq shumë vitesh që nga fillimi i negociatave të moderuara nga BE, ajo që është arritur është e pamjaftueshme. Dhe të dyja palët janë përgjegjëse për këtë. Fajtor janë edhe BE-ja dhe disa diplomatë perëndimorë në Prishtinë, të cilët inkurajuan qeverinë kosovare të marrë masa reciproke në verën e vitit 2022”, potencoi Buhler.