Hiq këpucët, ngjitu në peshore! Kompania ajrore do të peshojë pasagjerët para se të hipin në avion

Hiqni këpucët. Nxirrni çelësat nga xhepi. Hipni në peshore!

Kjo do të jetë procedura e re, të cilët pasagjerët që kanë zgjedhur të udhëtojnë me kompaninë ajrore kombëtare të Zelandës së Re duhet t’i nënshtrohen para se të imbarkohen në bordin e një avioni.

Siç raportojnë mediat vendase, Autoriteti i Aviacionit Civil të Zelandës së Re po kërkon që linja ajrore e saj kombëtare të peshojë pasagjerët që nisen në fluturimet ndërkombëtare nga Aeroporti Ndërkombëtar i Auckland deri më 2 korrik 2023.

Programi, të cilin “Air New Zealand” e quan një studim i peshës së pasagjerëve, është një mënyrë për të mbledhur të dhëna mbi ngarkesën dhe shpërndarjen e peshës për avionët.

“Ne peshojmë gjithçka që do të ngjitet në avion, nga ngarkesat e ushqimeve në bord, te bagazhet. Për klientët, ekuipazhin dhe çantat e kabinës ne përdorim peshat mesatare, të cilat i marrim nga kryerja e këtij studimi”, tha në një deklaratë Alastair James, specialisti i përmirësimit të kontrollit të ngarkesës për këtë linjë ajrore.

Megjithatë, pesha është një gjë personale që jo të gjithë dëshirojnë ta zbulojnë.

Për të mbrojtur privatësinë e individëve, linja ajrore thotë se i ka bërë të dhënat anonime.

Udhëtarëve do t’u kërkohet të qëndrojnë në një peshore dixhitale kur të bëjnë check-in për fluturimin e tyre. Informacioni për peshën e tyre më pas dorëzohet në sondazh, por nuk do të shihet në ekranin e agjentit.

Ata gjithashtu do të vendosin bagazhin e tyre në një peshore tjetër identike për peshim të veçantë.

“Ne e dimë se të shkelësh në peshore mund të jetë e frikshme. Ne duam të sigurojmë klientët tanë se nuk ka asnjë ekran të dukshëm askund. Askush nuk mund ta shohë peshën tuaj, madje as ne”, tha James.

Kjo nuk është hera e parë që “Air NZ” u ka kërkuar pasagjerëve të hipin në peshore përpara se të ngjiteshin në avion. Pasagjerët vendas morën pjesë në një sondazh në vitin 2021, por ai për udhëtarët ndërkombëtarë u vonua për shkak të pandemisë.

Midis njerëzve të cilëve mund t’u kërkohet të marrin pjesë në sondazh janë ata që udhëtojnë me fluturimin direkt nga Auckland në aeroportin JFK të Nju Jorkut.

Itinerari kryesor 17-orësh u lançua vjeshtën e kaluar si një bazë e strategjisë së “Air NZ” pas pandemisë dhe është një nga fluturimet më të gjata në botë.