Dua Lipa: Kam ëndërruar të kem emër ‘normal’

Dua Lipa është emër që e njeh e gjithë bota falë karrierës së saj të mrekullueshme në muzikë, por emri i saj ka shkaktuar jo pak konfuzion. Ajo vetë ka thënë se ka ëndërruar emër tjetër, pavarësisht se është krenare për të.

“Njerëzit gjithmonë pyesin nga më erdhi emri. Jam shumë krenare për të, por kur isha e vogël ëndërroja të kisha emër, si për shembull, Hannah – diçka ‘normale’ dhe anglisht”, ka thënë ajo në festivalin “Hay”, shkruan BBC.

Këngëtarja në këtë festival letrar ka shpjeguar po ashtu se fëmijëria e saj ka qenë në dy vende. Ajo u lind në Londër, pasi prindërit ishin larguar nga Kosova për shkak të luftës. U kthye në Kosovë kur ishte 11-vjeçare, por u kthye sërish në Mbretërinë e Bashkuar për të vazhduar shkollimin dhe nisur karrierën muzikore.

Lëvizja nga njëri vend në tjetrin, Duan e ka bërë të ndihet si “vajza e re”.

“Isha goxha e vendosur. Nuk ndjeja se kisha të njëjtat mundësi në muzikë siç i kisha në Londër. Kisha ambicie. Babai thotë se është vështirë që të më thotë jo!”, ka thënë Lipa.

Dua Lipa është ambasadore nderi e Kosovës. Ajo po ashtu ka marrë edhe shtetësinë e Shqipërisë.