Policia spanjolle ka gjetur pas më shumë se 9 vitesh trupin e shqiptares Sibora Gagani, e zhdukur në korrik të vitit 2014 në Torremolinos, shumë pranë Malagës.
Sipas TGCOM, ishte ish-i fejuari Marco Gaio Romeo ai që rrëfeu përpara hetuesve se e kishte vrarë vajzën, e cila në atë kohë ishte vetëm 22-vjeç.
Burime nga hetimet bëjnë me dije se trupi i pajetë i shqiptares me kombësi italiane u gjet i fshehur në një shtëpi prej druri, brenda një muri, ku kishte jetuar me Marcon tashmë 45 vjeçar.
Pas disa vitesh pa asnjë gjurmë, hetimet për zhdukjen e shqiptares u hapën para disa javësh, kur në 17 maj, ish-i fejuari i saj u arrestua nën akuzën e vrasjes me thikë të bashkëjetueses së tij të fundit, me të cilën kishte dhe një djalë.
Ishte pikërisht ky moment që burri tërhoqi vëmendjen e hetuesve dhe tek Gagani, me të cilën ishte transferuar në Spanjë, pasi e kishte njohur në Itali 15 vite më parë. Marco la dyshime tek hetuesit se e kishte vrarë vajzën në vitin 2014 dhe e kishte fshehur trupin në shtëpinë ku jetonin në atë kohë. Ai e tërhoqi më pas këtë dëshmi, por hetuesit e kishin marrë shumë seriozisht këtë pistë.
Pas disa javësh kërkime, trupi i vajzës u gjet në mes të murit falë një sistemi me rreze X, pranë saj u gjet dhe një thikë me të cilën dyshohet se është kryer krimi.