Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, nëse Serbia do të dëshironte me çdo kusht krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjëja e parë që do të bënte do të ishte pranimin i pavarësisë së Kosovës.
“Nuk mund ta thuash për çdo javë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, e ama Asociacionin, jo nëse e donë Asociacionin fortë atëherë e njeh pavarësinë”, ka thënë Kurti në foltoren e Kuvendit të Kosovës.
Marrëveshjen e Brukselit – e cila parasheh formimin e Asociacionit – Serbia sipas Kurtit, nuk e ka ratifikuar asnjëherë në Kuvendin e saj, paçka e njëjta është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
Shefi i ekzekutivit më tej ka dhënë detaje se si ai e argumenton qëndrimin e Kosovës, ndërkombëtarëve në raport me Asociacionin.
“Qasja më e mirë e jona edhe vlerore edhe strategjike është që kur bëhet fjalë për të drejtat e komuniteteve jo shumicë ne të gjitha që interesohet të pyesim kësi soj ‘Pse nuk mjafton Plani i Ahtisaarit’, ata duhet të tregojnë pse nuk mjafton ky plan, unë kam qenë dhe vazhdoj të jem shumë kritik ndaj Planit të Ahtisaarit, ka shumë privilegje dhe teprime, mirëpo ata që duan edhe më shumë, ata e kanë barrën e provës dhe argumentimit të na tregojnë pse fituesi i çmimit nobel për paqe paska bërë gabim”.
“Unë kështu e shtrojë çështjen në këto diskutime dhe e kam thënë edhe më herët nëse Serbia do ta dëshironte me gjithë mend Asociacionin gjëja e parë që do të bënte do të ishte pranimi i pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar ai.
Në leximin e tij të situatës Kurti beson se kërkesa e tanishme e Serbisë për Asociacionin është politike ngase serbët kanë qenë në dijësi se ai është kundërshtuesi më i madh i këtij mekanizmi.
“Asociacioni është nënshkruar para 8-10 vjetësh. Çka po i bie, që Serbia paska pritur që unë të bëhem kryeministër për t’u zbatuar ai kur dihet veprimi dhe qëndrimi im? Pra, e paskan pritur kundërshtarin më të madh të Asociacionit për ta zbatuar atë? Pra, edhe në një aspekt politik dhe logjik është plotësisht e gabuar. Po të ishte Asociacioni prioritet i tyre do ta kishin zbatuar me ata që e kanë nënshkruar. Është dashur ta zbatojnë në vitet e mëhershme, jo ta presin që unë të bëhem kryeministër për ta zbatuar”.