Një ushtar çeçen nga batalioni i parë i TikTokut, Akhmat, duket se nuk i kishte bërë mirë llogaritë kur kishte vendosur t’i bashkohet ushtrisë ruse për të luftuar kundër ukrainasve.
Ky ushtar ishte nisur në fushëbetejë duke menduar se do të ketë kohë të realizojë fotografi dhe video “argëtuese”, por i doli krejt diçka tjetër, transmeton Telegrafi.
Derisa po filmonte veten në një zonë malore, çeçenin e befason predha ukrainase që bie pranë tij, duke bërë që edhe kamerën që e mbante t’i binte nga dora.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa që gjithçka përreth tij u shkund, kurse ushtari i Ramzan Kadyrovit dëgjohet duke bërtitur nga lëndimet e pësuara.
Ndryshe nga fillimi i luftës në Ukrainë, lideri çeçen Ramzan Kadyrov, njeriu i besueshëm i Vladimir Putinit, dërgoi njësitë e tij për të luftuar përkrah rusëve – pra kundër ukrainasve.
Megjithatë ata shpejt u shpartalluan në disa fronte, dhe përkundër deklaratave se do të dëbojnë ukrainasit nga vendi i tyre – ndodhi e kundërta.
Tani ukrainasit tallen me ta, duke i quajtur ushtria e TikTokut, pasi vazhdimisht publikojnë video të ndryshme nga disa zona të panjohura, por që ata pretendojnë se janë në Ukrainë.
Madje në disa raste pretendimet e tyre janë hedhur poshtë, duke dokumentuar se imazhet e shkrepura nuk janë bërë fare në Ukrainë dhe se Kadyrov dhe ushtarët e tij po gënjejnë se janë në front.