Prigozhin reagon për herë të parë që prej rebelimit të Wagner

Themeluesi i mercenarëve të Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka reaguar për herë të parë pas rebelimit dhe tensioneve të ngritura me liderin rus, Vladimir Putin.

Ai thekson se qëllimi i rebelimit ishte shmangia e shkatërrimit të grupit Wagner. Yevgeny Prigozhin pretendon se grupi mercenar ishte i detyruar të shpërbëhej më 1 korrik. Megjithatë, kreu i Wagner shton më tej se marshimi në drejtim të Moskës nuk ishte për të rrëzuar Putinin nga pushteti.

“Qëllimi i marshimit ishte shmangia e shkatërrimit të Wagner-it dhe vënia para përgjegjësisë së disa zyrtarëve, të cilët me veprimet e tyre joprofesionale kanë bërë shumë gabime”, tha Prigozhin.

Ndërkohë, pas rebelimit 24 orësh të mercenarëve të Wagner, që sfidoi si kurrë më parë pushtetin e Putinit, dhe që kishte si qëllim kryesor largimin e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ky i fundit shfaqet në një video teksa inspekton trupat e Moskës të përfshira në operacionin ushtarak në Ukrainë.

Shoigu, i cili duket i qetë, shfaqet fillimisht në një avion së bashku me një koleg, e më pas teksa dëgjon raportimet e një komande ushtarake. Nuk është ende e qartë kur dhe ku është zhvilluar vizita, por ajo është një sinjal i qartë se Shoigu vazhdon të ketë mbështetjen e Putin. Gjatë kryengritjes së shkurtër, ku mori kontrollin e zyrave ushtarake në Rusinë jugore, Prigozhin kërkoi që Shoigu dhe Shefi i Shtabit të forcave të armatosura, Valeri Gerasimov, t’i dorëzoheshin atij, në mënyrë që të rivendoste drejtësinë, siç u shpreh.