Ushtria ukrainase ka deklaruar se ka avancuar nga 600 në 1 mijë metra në anën jugore dhe veriore të Bakhmutit.
Ecuria, ndonëse në përmasa të vogla, vijnë pas territoreve të marra gjatë fundjavës.
Ndërsa shefi i “Wagner” i çoi trupat e tij drejt Kremlinit, ato ukrainase raportuan nisjen e një ofensive pranë qytetit të shkatërruar.
Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky postoi në Twitter mesazhin se i kishte diskutuar trazirat e fundjavës në Rusi në një telefonatë me presidentin Biden. Zelensky tha se ngjarja tregoi dobësimin e regjimit të Putin.
Edhe sekretari amerikan i Shtetit shprehu këndvështrimin e tij.
“Vetë Prigozhin dhe gjithë ky incident kanë ngritur pyetje mbi premisat e agresionit rus ndaj Ukrainës në plan të parë. Kjo do të thotë se as NATO e as Ukraina nuk përbëjnë rrezik për Rusinë, ndryshe nga sa rrëfen Putin. Gjithashtu, ajo që ndodhi ishte një sfidë direkte ndaj autoritetit të Putin. Tregon krisjen e pushtetit të tij”, -tha Antony Blinken, sekretar i Shtetit, SHBA.
Ndërkohë, në jug të Ukrainas ka vazhduar operacioni i pastrimit pas bombardimeve ruse gjatë fundjavës, që dëmtuan 30 godina të banuara në qytetin jugor Orikhiv.