“Kundërshtari ishte i vështirë…”, Reshat Mati: Do bëjë një luftë në Shqipëri, ëndrra është të bëhem kampion bote

Boksieri shqiptar që vepron në Amerikë, Reshat Mati ka arritur një tjetër fitore në karrierën e tij. Në New York, “ariu shqiptar” nokutoi kundërshtarin e tij, Dakota Linger.

Me këtë fitore, Mati vazhdon rekordin e tij fantastik me 14 ndeshje dhe 14 fitore, 8 prej tyre me nokaut.

Në një intervistë ekskluzive për Lajmi.net, Reshat Mati tregoi se si shkuan përgatitjet për këtë luftë.

“Gjithçka shkoi mirë. Sparingu ishte fantastik. Stërvitja ishte në nivel të duhur dhe pesha ime gjatë përgatitjeve për këtë luftë ishte shumë mirë”, u shpreh fillimisht boksieri shqiptar

Kundërshtari i tij i fundit, ishte Dakota Linger, 28-vjeçar që gjatë karrierës së tij ka zhvilluar 22 lufta, 13 fitore (9 me nokaut) 6 humbje (3 me nokaut) dhe 3 barazime.

Për “ariun shqiptar”, ishte një kundërshtar tejet i vështirë dhe mirë i përgatitur.

“Kundërshtari im ishte një luftëtar i vështirë, dhe ishte shumë problem për ta parashikuar se çfarë do bënte. Ai ushtronte shumë presion, dhe ishte shumë vështirë për t’i dhënë grushte. Ishte një djalë shumë i qëndrueshëm”, vazhdoi tutje boksieri shqiptar për Lajmi.net

Reshat Mati shpreson që një ditë të luftoj në Shqipëri, madje ai e vë këtë si një qëllim në karrierë. Kurse planet për të ardhmen ia lë në dorë gjithë menaxhmentit.

“Qëllimi im dhe plani është që një ditë të luftoj edhe në Shqipëri. Planet e mia për të ardhmen varen nga menaxhmenti, por unë mezi pres që të luftoj me emra të mëdhenj”, thotë Reshat Mati

24-vjeçari është një prej boksierëve më të talentuar që ka populli shqiptar. Ai tregon se është në kontakte të vazhdueshme me boksierë nga Shqipëria dhe Kosova, në veçanti me Florian Markun.

“Po me Florian Markun ne njihemi prej kohësh dhe në fakt e kam takuar atë personalisht në Angli. Unë gjithmonë jam në kontakt me boksierët shqiptarë”

Në fund, sigurisht që Mati tha disa fjalë për tifozët shqiptarë, që nuk hezitojnë të shkojnë në stadiume apo salla për ta përkrahur secilin boksier, në veçanti boksierin “kuqezi”, që në asnjë luftë nuk e harroi flamurin e Shqipërisë edhe pse luftat e tij i zhvillon në Amerikë.

“Unë gjithmonë jam krenar që përfaqësoj atdheun tim. Shpresoj që një ditë të bëhem kampion i parë botëror shqiptar dhe ta bëjë popullin tim krenar. Jam krenar që jam shqiptar”, ishte fjala e fundit në këtë intervistë nga boksieri Reshat Mati.