Më shumë se 80 turistë britanikë përjetuan momente tmerri teksa anija me të cilën ata ishin duke lundruar pranë ishullit grek të Rodosit u përfshi nga flakë të mëdha të enjten.
Turistët treguan se u detyruan të hidheshin në ujë për t’i shpëtuar flakëve që përfshinë me shpejtësi kuvertën prej druri. Roja Bregdetare greke tha se 82 pasagjerët e anijes u nxorën në breg pa lëndime, por dëshmitarët thanë se fëmijët përjetuan tmerr teksa u shpëtuan.
Shaun Williams, një inxhinier 55-vjeçar nga St. Ives, Cornwall, tha se së bashku me familjen e tij ishin në anije dhe flakët shpërthyen rreth gjysmë ore pasi ishin nisur për në plazhin Stenga. “Fatmirësisht ne nuk u lënduam nga kjo ngjarje, por djali 9-vjeçar ishte i traumatizuar”, tregoi ai.