Më 3 korrik 1967, ndërroi jetë kirurgu i mirënjohur korçar Dr. Sotir Polena. Ai u diplomua nga mjekësia në Mynih, Gjermani. Në vitin 1927 mbrojti doktoratën e tij në Universitetin Bavarez “Ludwig Maximilian”. Pas studimeve atij iu ofruan shumë punë jashtë vendit, por megjithatë ai zgjodhi Shqipërinë e tij të varfër dhe Korçën ku për pothuajse 4 dekada i shërbeu bashkëqytetarëve e tij me përkushtim.
Vetëm pak metra larg kinema “Verores”, në qendër të Korçës, është një shtëpi dominuese me një stil krejt të veçantë. Kubeja e stërmadhe e valëzuar e çatisë prej betoni, ka përpara një oborr të mbushur më lule erëmira, të rrethuar me dyer dhe kangjella të stilizuara prej hekuri.
Është shtëpia e doktor Polenës, ish mjekut më të njohur të qytetit dhe më gjerë. Nuk ka njeri në Korçë, që të mos ketë dëgjuar mbi dr. Polenën. Tek kjo rrugicë dhe kjo shtëpi, për më se gjysmë shekulli nuk do të rreshtnin radhët e gjata të pacintëve të shumtë të tij që vinin për t’u mjekuar nga mbarë vendi. Ajo shtëpi bujare i kishte dyert e hapura për të gjithë njerëzit në nevojë, nga fëmijët e vegjël e deri tek pleqtë. Emri i dr.Polenës ishte kthyer në simbol të shërimit dhe lehtësimit të dhimbjeve.
Dr.Sotir Polena lindi në Korçë, më 1902 dhe më pas vazhdoi gjimnazin grek, po në Korçë. Më pas, vazhdon studimet e larta në Mynih të Gjermanisë, nga viti 1922-1927, ndërsa nga viti 1927 -1928 mbaron doktoratën e specializimit. Tetë vjet të qëndrimit në Gjermani, e formuan dr. Polenën jo vetëm si mjek, por edhe si një njeri i Dojçkultures.
Për 30 vjet rresht, punon si drejtor i Spitalit të Korçës dhe njëkohësisht si kirurgu numër një i këtij spitali. Nuk mund të numërohen operacionet e suksesshme të dr.Polenës, në 40 vjet karrierë. Talenti i tij spikat edhe në neurokirurgji, qepja e venave, kirurgjia torkale, ortopedia, deri tek ndërhyrjet e guximshme gjinekologjike tek nënat shtatzëne. Dr.Polena gjithçka e arriti falë virtuozitetit te tij profesional por sidomos zemrës të tij të madhe.
Dr. Polena punoi në sisteme të ndryshme shoqërore, mes trazirave, luftërave, por ai mbeti i njëjti njeri në të gjitha ndryshimet: Polena duarartë dhe i dashur me të gjithë njëlloj, nga pastruesit e thjeshtë deri tek burrat e shtetit. Armiku i vetëm i dr.Polenës ishte vetëm vdekja, nga thonjtë e së cilës shkëputi shumë njerëz. Me kurajo dhe atdhetari, dr.Polena gjatë luftës kuroi shumë djem e vajza që luftonin pushtuesit.
Në Korçë, të moshuarit tregojnë se në ditët e fundit të pushtimit gjerman, Polena, me shumë takt e shpëtoi qytetin e Korçës nga një masakër dhe nga djegia e tij prej gjermanëve. Edhe vdekjen, qe i ardhi shume herët (1966), e përballoi denjësisht. Në xhepin e xhaketës, në arkivolin që arrdhi nga Viena, u gjend një letër ku me shkrimin e tij, kishte shkruar ca vargje të shkrimtarit të madh indian, Rabindrand Tagares:
“Fjeta dhe ëndërrova, se jeta është gëzim, U zgjova dhe pashë se jeta është detyrë, Veprova sipas saj dhe nxora një përfundim: Detyra është gëzim!”.
Korça nuk ka parë një funeral aq madhështor, si ai i doktor Polenës në vitin 1967. Nga Pallati i Kulturës, ku u bënë homazhet, i gjithë qyteti ishte i përlotur. Një funeral madhështor për mjekun e madh e bujar dhe të pakursyer, që lehtësoi dhimbjet e mijëra njerëzve, pavarësisht moshës, gjinisë dhe gjendjes pasurore.
Rreth 4 vite më parë u organizua në Korçë ceremonia e dhënies së titullit “Nënë Tereza” për Dr.Sotir Polena(Doktor Polena).
Një model i mjekësisë shqiptare. Respekt e përulje për këtë burrë të madh të mjeksisë, kirurgun duarartë korçar, mjekun legjendë, drejtorin më jetëgjatë të spitalit të Korçës (29 vjet), humanistit, Profesorit te shquar!/kolibri