Plazhi publik në Sarandë ka ndryshuar pamje. Në ditët e para të korrikut janë vendosur çadra e shezlonë falas në plazhin publik. Nisma e kryebashkiakut të ri, Oltion Çaçi vlerësohet nga vendasit dhe turistët e huaj.
Në plazhin publik pranë Shëtitores së Sarandës janë vendosur çadra e shezlonë falas. Kjo është nisma e parë e kryebashkiakut të ri të Sarandës, Oltion Çaçi e mirëpritur si nga banorët e qytetit, ashtu edhe nga pushuesit e shumtë që ndodhen për pushime në Sarandë.
“Tani që kanë vënë çadrat shumë mirë është. Populli bën banjo dielli pa lek. Është hera e parë që i shijojmë pa lek. Shërbimi është i mirë dhe i pastër. Këtë ndryshim duhet ta kenë dhe bashkitë e tjera bregdetare”, thanë ata.
Një prej qytetarëve shprehet për Report Tv se nuk e besoi, madje mendoi se çadrat ishin vendosur me pagesë nga lokalet dhe bizneset pranë plazhit.
“Kur e pashë në mediat sociale mendova se janë çadrat e lokaleve, nuk e besova derisa i pashë vete”.
Ndryshimi në plazhin publik ka suprizuar mjaft edhe pushuesit e përvitshëm që zgjedhin Sarandën për pushimet e verës. Ata vlerësojnë vendosjen e çadrave pa pagesë nga Bashkia Sarandë si të dobishme, pasi ata nuk do të detyrohen të blejnë dhe lëvizin çdo ditë me çadër me vete.