Telex: Ushtarit hungarez që u lëndua në Zveçan i amputohet (i prehet) këmba

Media në Hungari kanë raportuar se ushtari hungarez që u sulmua nga serbët në Zveçan, i është amputuar këmba.

“Ushtarit hungarez të plagosur në Kosovë i është amputuar këmba“, njoftoi të premten Ministria Hungareze e Mbrojtjes, shkruan media online Telex.

Përveç saj kjo media, raporton se gjendja e dy ushtarëve hungarez vazhdon të jetë e rëndë.

Ministria ka thënë se shumica e ushtarëve janë kthyer në shtëpitë e tyre, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe ata janë ende duke u trajtuar në spital.

“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Më 29 maj, ushtarët hungarez pjesëmarrës në forcën paqeruajtëse të NATO-s (KFOR) u vendosën për detyra të shpërndarjes masive në zyrën e kryetarit të vendbanimit Zveçan në Kosovë.

Protestuesit serbë të mbledhur atje dolën në rrugë për shkak të rezultateve të zgjedhjeve të mëparshme dhe më pas sulmuan ushtarët e NATO-s.