Të huajt që vijnë në Shqipëri për të punuar në fushën e teknologjisë së informacionit do të kenë procedurë më të thjeshtuara për të përfituar lejeqëndrimin në Shqipëri.
Në një vendim të miratuar së fundmi nga qeveria, e vetmja gjë që i duhet individit është një deklaratë nga kompania që e ka punësuar.
“I huaji, i cili në momentin e kalimit në një nga pikat e kalimit kufitar gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, provon se do të punojë në një shoqëri IT, nëpërmjet një deklarate të lëshuar nga vetë shoqëria, e cila ka aktivitet kryesor programimin kompjuterik, konsulencën dhe shërbimet e lidhura me to, përpunimin e të dhënave, hostimin dhe aktivitetet e lidhura me to, portalet në internet dhe/ose publikimin e programeve kompjuterike, sipas nomenklaturës së veprimtaritë ekonomike, të miratuara nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe kryen veprimtari si përdorues në parqet e shkencës dhe teknologjisë, ka të drejtë të hyjë pa vizë dhe të qëndrojë pa leje unike në Republikën e Shqipërisë për një afat deri në 1 (një) vit”, thuhet në vendim.
Gjatë kësaj periudhe, i huaji, mund të aplikojë për t’u pajisur me leje unike në Republikën e Shqipërisë.
Pak kohë më parë, qeveria miratoi përjashtimin e taksave të këtyre individëve deri në 1 vit, si lehtësi që e bën Shqipërinë më tërheqëse “për nomadët digjitalë”.
Ndërkohë një tjetër vendim i lejon të gjithë punonjësit në fushën e IT-së, shqiptarë apo jo, të paguajnë kontribute shoqërore vetëm për pagën minimale edhe pse paga e tyre rezulton zakonisht disafish më e lartë.