Një video e fundit që po qarkullon e analistit Rron Gjinovci i cili shpeshherë del në përkrahje të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka tronditur opinionin. Gjinovci shihet duke thurur fjalë lavde për ish-Jugosllavinë.
Gjinovci përmes memories së prindërve të tij flet me admirim për ish federatën jugosllave, ai thotë se koha e ish-Jugosllavisë ka qenë kohë e artë.
“Unë kam lindur më 1989, kur Jugosllavia ka nis mu shpërbë, por unë e kam trashëguar memorien e prindërve dhe gjyshes. Kjo më kujton një kohë për të cilën flitet që ka qenë kohë e artë e Jugosllavisë, ku ka qenë një shtet i mirëqenies, shtet i prosperitetit, ku njerëzit që kanë jetuar aty janë ndje krenarë, sidomos kur kanë udhëtuar jashtë vendit të tyre”, thotë ai.
Rron Gjinovci, po ashtu, thotë se Kosova nuk i ofrohet Jugosllavisë.
“Ndërkohë që sot nuk munden me ba këtë. Po ashtu, kur unë shoh furra që shkrijnë metal, përpos asaj ndjenjës së forcës të një shteti të fortë industrial, ma jep edhe idenë e eksploatimit të Kosovës, e cila flitet dhe është fol prej gjeneratave të tëra. Është një fjalë ‘Trepça po punon, Beogradi po ndërton’. Ky ka qenë percepsion që ka fillu masi kam lind unë në territorin e ish-Jugosllavisë, sidomos sa i përket Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës në atë shtet. Sot kur i shoh shkrirësit më kujtohet krejt ajo që mungon në vendin tem, e cila është trashëguar prej një shteti si Jugosllavia.
Krejt industria që dikur ka ekzistuar në Kosovë, gjatë kohës së Jugosllavisë, sot është shndërruar përmes procesit të privatizimit, ka kaluar te personat privatë dhe shërbejnë si depo, markete, etj. Kjo ma jep ndjenjën e një zbraztie të asaj që vendi im ish dashtë me pas sa i përket ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik në përgjithësi“, thotë Gjinovci.