Edhe këtë sezon veror, në Forumin Bizantin ka nisur ekspedita e Institutit të Arkeologjisë për të zbuluar më tej të fshehtat e nëntokës së Durrësit antik.
Sipas arkeologëve të përfshirë në këtë ekspeditë arkeologjike, gërmimet janë vazhdimësi e ekspeditave të mëparshme për të hedhur dritë mbi shtresëzimin urban të kësaj zone në faza të ndryshme të historisë.
Forumi Bizantin që ndodhet në qendrën historike të qytetit është ndër të rrallë monumente të epokës bizantine në vendin tonë. Sipërfaqja është e shtruar me mermer dhe rrethohet nga një kolonadë rrethore me diametër 40 metra. Forumi daton në fund të shek. V e.s. dhe është përdorur deri në shek.VIII e.s.
Mendohet se është përdorur dhe si shesh publik me ambiente tregtare. Më pas u shndërrua në varrezë gjë që dëshmohet dhe nga gjetjet. Gjatë gërmimeve të viteve të fundit, arkeologët kanë zbuluar edhe fragmente të godinave të banimit të periudhës romake, duke dëshmuar se në kohë të ndryshme kjo zonë ka pasur funksione të ndryshme përgjatë zhvillimit të saj urban.
Ky monument i trashëgimisë sonë kulturore ndodhet pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe është i vizitueshëm nga turistët vendas dhe të huaj, ndonëse në të mungon prania e ciceronit..TCH