Serbi, 1 fëmijë humb jetën nga reshjet e dendura dhe stuhia

Një fëmijë 12-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e shiut të dendur dhe stuhisë në Serbi, njoftuan autoritetet vendase.

Në deklaratën e policisë serbe thuhet se është gjetur trupin i pajetë i një fëmije i cili ka dashur të shpëtojë nga reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë mbrëmë në qytetin e Novi Sadit dhe se po hetohet nëse shkaku i vdekjes ka qenë goditja elektrike apo rrufeja.

Ministria e Brendshme tha se Novi Sadi dhe Baçka Pallanka janë qytetet më të prekura nga kushtet e pafavorshme atmosferike, ku janë shpëtuar pesë persona.

Krahas Serbisë, shirat e dendur dhe stuhitë kanë prekur edhe vendet e rajonit si Kroacia, Sllovenia dhe Bosnjë e Hercegovina dhe kushtet e motit kanë ndikuar negativisht në jetët e njerëzve.

Ndërsa shumë pemë u rrëzuan nga forca e stuhisë në Kroaci, dëme materiale ndodhën edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Pas vapës përvëluese, numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe stuhisë që nisi në Ballkanin Perëndimor në mesjavë është rritur në gjashtë.

Nga ana tjetër, institucionet meteorologjike të rajonit njoftuan se në orët e mbrëmjes pritet të ketë reshje dhe stuhi pas rritjes së temperaturave deri në 38 gradë gjatë ditës.