Fushata e Serbisë për çnjohje ndaj Pavarësisë së Kosovës po vazhdon. Kështu të paktën ka pretendime nga pala serbe se një vend e ka çnjohur pavarësinë e në total 28 shtetet e kanë tërhequr njohjen. Në anë tjetër, Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë përgjigje për çnjohjen nga Surinami.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryediplomati serb, Ivica Daçiq, pretendojnë që shteti i Surinamit e ka çnjohur pavarësinë e Kosovës.
Gjatë vizitës së kryediplomatit të Surinamit, Albert Ramdin në Serbi, ai tha se shteti i tij e respekton “integritet territorial” të Serbisë.
Mirëpo, për Vuçiqin e Daçiqin kjo gjë do të thotë çnjohje.
“Fushata për heqjen e njohjeve pikërisht nisi nga ana e Surinamit. Ju kujtoj që kjo është ajo nota që e kemi marrë më 27 tetor 2017, dhe nga atëherë edhe 27 shtete, pra pas Surinamit, kanë tërhequr njohjen. Prandaj për këtë ne e kemi borxh një falënderim të pamatshëm për Surinamin.” – ka thënë Daçiq.
Edhe presidenti serb Vuçiq ka thënë se Surinami e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Vuçiq ka thënë se ”pavarësia e Kosovës është e njëanshme”.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ende nuk ka reaguar për këto pretendime të palës serbe.
Para disa muajve në Kosovës pati një debat publik në të cilin akuzohej kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla për mos angazhimin e duhur për të krijuar njohje të reja.
Bile në atë kohë, u konfirmuar se shteti i Togos ka tërhequr njohjen dhe sipas kryediplomates Gërvalla, Togo e kishte çnjohur Kosovën me 2019.
Ajo kishte akuzuar kritikë duke thënë se po i qëndrojnë unik propagandës së Daçiqit dhe Vuçiqit.