Kryetari i partisë maqedonase LSDM-së, Venko Filipçe, e kritikoi prezencën, por edhe fjalimin e liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, në akademinë solemne në Shkup. Filipçe mori pjesë në ngjarje, por thotë se kryeministri Hristijan Mickoski është dashur ta dijë se si është organizuar ngjarja dhe çfarë ministri ka vendosur, duke aluduar për Ivan Stoilkoviq, i cili i mirëpriti mysafirët.
“A e di kryeministri kë e ka zv.kryeministër dhe në çfarë aspekti dhe forme e ka organizuar atë ngjarje dhe si dhe në çfarë forme janë ftuar mysafirët. A mos ndoshta bëhet fjalë edhe për sulm hibrid ndaj shtetit? A mos ndoshta ajo që ne duhet të bëjmë kujdes se kush dhe çfarë mysafirësh ftojmë, për shkak se jemi vend anëtar i NATO-s”, tha Venko Filipçe.
Sipas Filipçes, duhej të aktivizohen edhe shërbimet e sigurisë.
“Ndoshta duhet të pyeten edhe shërbimet e sigurisë – a e kanë ditur kush do të vijë dhe çfarë deklaratash do të japin, si dhe a kanë vlerësuar, ndoshta më pas, a janë këto deklarata që për një vend anëtarë të NATO-së shkojnë kundër interesave shtetëror”, tha ai.
Millorad Dodik, u prit nga Stoillkoviq edhe në Ministrinë për marrëdhënie mes bashkësive, pas çka reagoi edhe kryetari i Lëvitjes Besa, Billall Kasami.
Paraprakisht edhe kryeministri Hristijan Mickoski e kritikoi Dodikun. Ai tha se nuk pajtohet me përmbajtjen e fjalimit dhe se nuk ka pritur që Dodik do të keqpërdorë ngjarjen me dërgimin e porosive të tilla politike. Dodik nga Shkupi e kritikoi NATO-n dhe BE-në, mohoi gjenocidin e Srebrenicës dhe e lëvdoi presidentin rus Vlladimir Putin./tv21.tv