A është Anton Çetta ‘Nderi i Kombit’?

NDUE DEDAJ

Ndodh një vrasje në mes të Tiranës, për gjakmarrje, për më tepër e një oficeri policie, njeriu të rendit dhe ligjit, teksa gjykata kishte dhënë vendim me burg për vrasjen, për të cilën do shtihej si shpagim mbi njeriun me uniformë. Rast i ngjashëm me atë të pastorit në Shkodër dy vjet më parë. E mendja të shkon fill e te njeriu mit i pajtimit: Ah, sikur të ishte gjallë Anton Çetta! Mbase nuk do të kishte ndodhur kjo e ajo gjëmë.

Habitesh se si në rrethana të caktuara historike mblidhet aq shumë fuqi te një njeri i vetëm. Aq shumë pushtet moral. Mbase më tepër se në të gjitha institucionet e shtetit së bashku, sigurisht kur shteti nuk është fuqiplotë e kësisoj i duhet njeriut të bëhet institucion.

Anton Çetta është rasti unik i pajtimtarit ndër shqiptarë. Më 1990 ai ishte vetë zëri i Kosovës dhe Kosova mishërim i idealit të tij. Është njëqindvjetori i Pavarësisë dhe është normale të “kokrrohen” një nga një ata që janë balli i kombit në njëqind a një mijë vjet.

Po a është zyrtarisht Anton Çetta një i tillë? A është dekoruar ky tribun me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”? Kanë kaluar njëzet e dy vjet nga misioni i tij i paarritshëm, ku ai ishte protagonist (i një protagonizmi historik), por që nuk ia njihte meritat vetes, ashtu si dhe bashkëpunëtorët e tij të shquar, akademiku Mark Krasniqi, misionari Dom Lush Gjergji, avokati Bajram Kelmendi etj. “Studentët dhe studentet e Universitetit të Prishtinës ishin ata që i kryen pajtimet”, na thoshte një vit më vonë, me 1991, Anton Çetta, kur patëm rastin fatlum të takoheshim me të në Shqipëri.

Featured Image

Ai dhe gjithë ekipi i tij pajtimtar, në shkrime e emisione televizive, kanë falënderuar ata që e pranuan faljen e gjakut. Por nga ana tjetër ata që falën dhe ata që u falën nuk dinë se si të shprehën për atë mision kombëtar dhe prijësit e tij. Është padyshim një nga ngjarjet e shënuara të njëqindvjetorit të Pavarësisë. Askush deri më sot nuk ka arritur të mbledhë 500 mijë vetë, sa këta misionarë të pashembullt, në vendin e quajtur “Verrat e Llukës” në Kosovë.

Asnjë ushtri, asnjë parti, asnjë ngjarje tjetër kombëtare s’i ka bërë dot bashkë kaq shumë njerëz, çka tregon fuqinë e jashtëzakonshme të pajtimit ndër shqiptarë. Gjysmë milioni njerëz nuk i ka mbledhur në tubim asnjë udhëheqës shqiptar, cilido të ketë qenë, kryefirmëtar i Pavarësisë, mbret i shqiptarëve, diktator komunist, lider demokracie, këndej dhe andej kufirit, në mos vetëm Gjergj Kastrioti pesëqind vjet më parë.

Kur niste aksioni i pajtimeve, strukturat politike-policore serbe shkruanin në raportet e tyre se ky do të dështonte, pasi shqiptarët nuk e kishin në traditë faljen. Dhe kuptohet që ai mision kombëtar nuk do të kishte atë jehonë dhe atë peshë po të mos shihej dhe si një betejë morale me dashakeqësinë serbe, gjykuar mbase jo si sot, por në rrethana të tjera, kur Millosheviçi përgatiste gjenocidin dhe shfarosjen e shqiptarëve. “Babai i pajtimit” e quan Ramiz Kelmendi, Anton Çettën dhe të duket se nuk ka titull përtej këtij. Pajtimtarë të njohur kosovarë, në studiot e RTK-së, rrëfenin plot histori të dhimbshme.

Një vajzë ishte betuar para të atit, kur ai po jepte shpirt nga plumbi që kishte marrë në arë, se do t’ia merrte gjakun!… Por ndërhyrja kishte qenë aq e fortë dhe, kur ajo vendosi ta falte gjakësin, shkoi pranë varrit të të atit bashkë me grupin misionar dhe iu drejtua atij, se po e falte për hir të Kosovës. Por nëse në Kosovë asokohe ndodhi mrekullia e gjakfaljes brenda një kohe aq të shkurtër, nuk ngjau e njëjta gjë në Shqipëri, në vitet e tranzicionit.

Ngase këtu mungonte një Anton Çettë, i cili kur dëgjonte zëra “intelektualë”, se mjaft kemi bërë për vendlindjen, thoshte se gjithçka ka kufi, masë, cak, por jo ajo që ne duhet të bëjmë për Atdheun. Kjo është dhe urtësia më proverbiale e tij. Dhe ata që ia hynë demek punës për pajtimet nëpër malësitë veriore në Shqipëri duhej të mendoheshin se po “mateshin” me Anton Çettën, dhe sikur ta kishin me gjithë shpirt dhe jo sa për të mbijetuar shoqatat e tyre, që shpesh do t’iu nxihej faqja nga pazaret e gjakut.