Nga Hajro Hajra
Në kohën e Shlimanit Homerin e konsideronin poet të një bote të shkuar e të tretur. Viheshin në dyshim personaliteti i tij dhe shkrimet e tij. Porse dyshimi nuk e kishte demoralizuar një ëndërrimtar të botës homerike – arkeologun gjerman Heinrich Schliemann (1822-1890), i cili zbuloi mbetjet e Trojës në vitin 1870. Filologët gjermanë e kishin përqeshur dhe e kishin qortuar haptazi, por s’kishin mundur t’ia humbisnin besimin në Trojën. Nuk ishte dashur shumë kohë që bota të bindej se Homeri nuk kishte trilluar asgjë lidhur me Trojën dhe Luftën e Trojës. Rrëzë Malit Hisarlik të Turqisë, nja 8 km nga Deti Egje dhe 5-6 km në jug të Grykës së Dardaneleve, Shlimani kishte zbuluar mbetjet, jo të një Troje, por të disa Trojave, të cilat ishin rrënuar dhe ishin ndërtuar gjatë disa shekujve. Kështu, pas mijëra vjetësh, nga toka ishin ngritur shpirtrat antikë në formë shtatoresh, pallatesh e gërmadhash.
Lidhur me Trojën janë sqaruar shumë gjëra, por jo edhe çështja kyç: cilët kishin qenë banorët e saj, ç’gjuhë kishin folur dhe me cilin popull të asaj epoke të lashtë kishin lidhje farefisnie.
Hulumtuesit nuk duan të pajtohen me mendimin që gjuha e trojanëve të Homerit të mbetet përgjithmonë enigmë. Ata konsiderojnë se çelës për zgjidhjen e kësaj enigme janë emrat dhe emërtimet gjeografike, ngase trimat e shquar dhe sundimtarët trojanë kishin emra jogrekë. Madje as emri i qytetit të Trojës nuk është grek. Disa gjuhëtarë bashkëkohorë mendojnë se ekziston një “urë gjuhësore” drejt ilirëve e pellazgëve. Natyrisht, kjo nuk është punë aspak e lehtë për t’u vërtetuar, sepse rruga historike që nga koha e pellazgëve dhe më pas ilirëve deri sot është tepër e gjatë. Gjuha e trojanëve është e panjohur. Me zhdukjen e Trojës gjuha është “mumifikuar” nën gërmadhat e saj.
Çështja e Trojës së Homerit, e këtij fenomeni të civilizimit europian, zgjon kureshtjen tonë në mënyrë të veçantë, sepse ka të bëjë me paraardhësit tanë.
Hulumtimi i Trojës ka filluar para se të fillonte Shlimani gërmimet rrëzë Hisarlikut të Turqisë. Të parët kanë filluar gjuhëtarët me tekstin e “Iliadës” së Homerit. Këta kanë zbuluar se shumë emra të trojanëve nga “Iliada” dhe emërtimet gjeografike të Trojës janë ilire. Gërmadhat në lokalitetin arkeologjik të Vinçës (14 km në juglindje të Beogradit të sotëm), identifikohen me kulturën e gërmadhave të Trojës, që ka rëndësi të veçantë, sepse themelimi i Trojës është i lidhur me parardhësin e Priamit, Dardanin. Disa historianë supozojnë se gjatë ekspeditës së tyre ushtarake, ilirët kishin arritur në Azi të Vogël dhe koloni e tyre ka qenë Troja e njohur.
Ngjashmërinë e emërtimeve ilire dhe trojane e kanë vërejtur edhe filozofët klasikë, të cilët kanë konstatuar se kushtrimi që bëhet në “Iliadë”: – Aleatë tanë trojanë e dardanë, na shtyn të pohojmë se jo vetëm Priami, Parisi e Hektori, por edhe Eneu janë të fisit dardan që ka jetuar në Gadishullin e sotëm Ballkanik, në pellgun e lumenjve Moravë e Strumë.
Dyndja e ilirëve, e cila, ashtu si çdo dyndje tjetër ka qenë akt shumë tronditës, ngase është episodi më dinamik dhe më shqetësues në historinë e çdo populli, përveç të tjerash ka pasuar me ndryshimin e emrave dhe të emërtimeve lokale dhe kjo u ofron mundësi filologëve që t’i ndjekin gjurmët e shuara dhe t’ia kthejnë forcën e një populli gërmadhave trojane, kurse qenien e tij t’ia kthejnë botës, sepse gjithë çfarë dime për ilirët është vetëm hija e qenies së tyre të vërtetë, diçka krejt fragmentare.
Helenët, sipas të cilëve Greqia është quajtur Heladë, origjinën e kanë nga viset ku kanë jetuar paraardhësit tanë. Historia e Heladës është një episod i historisë botërore, e cila përjetohet me pasion, sepse në të është qëndisur qenia e kulturës europiane. Që andej kultura është përhapur nga njëri popull te tjetri dhe, si një flakadan, e ka ndriçuar botën. Mitin e vet helenët e kanë ngritur në një mit botëror, sepse kanë ditur ta paraqesin zhvillimin e tyre në mënyrë poetike. Historia e Heladës është poemë e ngritjes së përbashkët të njeriut nga një nomad i pacivilizuar, në bartës kulture.
Historiani kroat, dr. Antun Dabinoviq (1882-1964) supozon se parashtesa He, pjesë e emrit të një vendbanimi në trevën e fisit ilir desidiat, në Luginën e Bosnjes, është gjurmë që dëshmon dyndjen e helenëve. Nga kolonia e tyre, përmes viseve pyjore të Ftisë së Mirmidonit, rruga i ka sjellë në jug të Greqisë. Dhe, siç ndodh rëndom, atje ku hap rrugë shpata, gjuha, shpirti dhe organizimi mbjellin farën e re. Kjo mbase zgjidh enigmën pse disa emra dhe emërtime në Heladën e lashtë nuk janë greke, por ilire. Nga deduktimi i emrave dhe i emërtimeve, shpeshherë është konfirmuar e vërteta historike. Në realitet, çdo e vërtetë fsheh më vete një të vërtetë tjetër, e historia gjithmonë është më e fuqishme ose, thënë më saktësisht, ajo jeton përnjëmend vetëm atje ku ka arritur madhështinë poetike.
Meqenëse mungojnë kronikat ilire dhe është e panjohur gjuha në të cilën kanë folur, kanë qeshur dhe kanë bërë shaka ilirët, gjithçka i lihet imagjinatës dhe aftësisë së të kuptuarit të historisë.
Supozimi i dr. Dabinoviqit nuk është i vetëm. Ai mbështetet në një literaturë mjaft vëllimore dhe citon shumë historianë e filologë, duke filluar nga më të lashtit e deri te ata bashkëkohorë.
Sot dihet se Helena e bukur, shkaktarja e Luftës së Trojës, nuk është figurë e trilluar, por e vërtetë. Pra, s’kemi të bëjmë me një legjendë, e cila është ngjallur si e vërtetë në imagjinatën e poetit të famshëm. Helena e pamposhtur vërtet ka jetuar, kurse rrëmbimi i saj është paraqitur si një ndër ngjarjet më dramatike të historisë së botës antike.
Dr. Dabinoviqi supozon se Helena e bukur ka qenë ilire. Është quajtur ashtu sipas vendlindjes, që gjendej në trevën e desidiatëve, ku në një gur është ruajtur mbishkrimi që fillon me shkronjat “he”. Sipas zakonit ilir, ajo ka bredhur me kopenë e vet nëpër male, derisa e kanë çuar në oborrin e Artridit dhe është bërë grua e Menelaut, mbretit të Spartës dhe trimit të Luftës së Trojës. Prej atje e ka rrëmbyer Parisi Trojan, i biri i Priamit dhe pjesëtar i fisit ilir të shpërngulur nga Dardania. Me rrëmbimin e saj ka filluar apokalipsi i Trojës heroike.