A rregullohet inaktiviteti i Akademisë së Shkencave?!

PROF. DR. ELMAS LECI

Ka ditë që opinioni është njohur edhe me një “ide nga lart” mbi krijimin e një të ashtuquajtur Këshilli Shkencor Mbikëqyrës mbi punën shkencore me “synimin për të bërë përparime të reja në shkencën shqiptare”?! Në këto momente kur po e vërdallis në mendje këtë “ide”, që kërkon të nxjerrë nga inaktiviteti punën tonë shkencore, më erdhi në mendje një intervistë e dikurshme e publikuar me shkencëtarin e madh Lomonosov, që korrespondenti gazetar e pyet në një intervistë për sukseset e tij në disa shkenca, e ndërsa shkencëtari që i përgjigjet gazetarit se: “Sukseset ia dedikoj prapanicës (ai i a tha troç, by… por unë nuk po e them në atë ligjëratë të drejtë), pasi -i u përgjigj Lomonosovi- se unë e ul “atë” dhe nuk e shkul”, atëherë kjo bëri bujë dhe ishte një lajm sensacional. Po a ndodh kështu me akademistët tanë “që ta ulin e të mos e shkulin atë….”. Opinioni thotë jo! Aktualisht po na shpikin edhe njëqind marifete, e madje na “implikojnë” edhe qeverinë që të dalin nga “bataku” me Këshilla Mbikëqyrës e artifica të tjera. Mirëpo para se të merret me “propozimet e reja”, Akademia jonë e Shkencave duhet t’i thotë opinionit se “çka bërë në kohën e këtij kryeshkencëtarit të ri”?!

Dikur, para se sa ta “katapultonin” kryetarin e tanishëm të Akademisë së Shkencave, u tha nga prima i qeverisë se “ajo (Akademia e Shkencave) ishte kthye (kuptohet për akademikët) në një vend funeralesh”. Paraprakisht mund të pohoj dhe këto me fakte, se ahere me veprimtari studimore Akademia e Shkencave, qe më mirë se sa sot. Lidhur me respektin që u është bërë atyre akademikëve të ndjerë, ishte gjë e meritueshme sepse Akademia e tyre ishte Akademi, ndërsa kjo lloj “Akademie” (siç është opinioni), nuk ka sjellë studime të tilla për t’u mbajtur mend. Këtë do ta argumentoj në vijim: Pra, sot me plot gojën mund të themi, jo vetëm të kundërtën e asaj që u tha ahere para “katapultimit” të kryetarit të ri, por diçka më të thelluar se aq, se “Akademia nga vend organizimi funeralesh, sot me inaktivitetin e saj, është kthyer në një vendvarrimi të shkencës shqiptare. Jo të asaj që përfaqëson kryetari prof. Gjinushi se “atë ne nuk e bëjmë”?!, por i shkencave Albanologjike ku ne kemi emergjencë, kemi dhënë e mund të japim kontribute me vlerë në saktësimin e mëtejshëm e më të hershëm të rrënjëve tona, në atë që janë fushat, përkatësisht të gjuhësisë, të historisë, të kulturës e trashëgimisë. Guxoj me keqardhje t’u them se juve drejtues të Akademisë, keni aty rreth e rrotull një dyzinë jo akademikësh, se akademikët aty numërohen me gishta dhe veçoj pak vetë, të tjerët janë numërorë, që marrin pagat e nuk kanë asnjë botim që ta njohë opinioni. Mendimet vizionare e reformatore të oponentëve, si kryesisht të akademik prof.dr. Artan Fugës e të ndonjë tjetri, mund të them se janë nëpërkëmbur ose lënë me dashje në heshtje dhe ky është opinioni. Siç guxova e u thash se asgjë me vlerë universale për çështjen kombëtare nuk ka këto vite nga Akademia e Shkencave, guxoj t’u them në formë pyetje se a e dini që historia jonë e re dhe e vjetër është bërë lëmsh?! Të vjetrit te ne njohin kryesisht atë, aq sa e njohim, të shkruar në kohën e largqoftit. Të rinjtë njohin pak ose aspak një histori kombëtare rrumpallhane se rrumpalla mësohet në shkolla, servirur tekstet nga shtëpi botuese fantazma për biznese, pasi ashtu është udhëzimi absurd i përdorimit të teksteve alternativë, shembulli më i keq i mësimit të shumë historive e në përfundim të asnjërës. Thuhet se kjo mënyrë të mësuari qenka e bazuar edhe në ligj. Aq më keq. Kjo, i teksteve alternative, është biznes i shtëpive botuese pa përgjegjësi dhe programe të tilla duhet të jenë të palejueshme në shkolla.

Historia është një, e duhet të jetë ajo që rekomandon pa diskutim Akademia e Shkencave. Edhe mund të mësojnë nxënësit e aq më shumë studentët, variante të ndryshme historie, por Akademia duhet të plotësojë mbi 90 për qind të mendjeve të tyre me variantin bazë që të mbajë firmën e studiuesve më në zë e më kompetentë të fushës së historisë. Historia nuk është rruga si e shumë lumenjve që në fund të çojnë në det. Jo, të nderuar akademikë të institucionit tonë të vetëm shkencor, që flet e duhet të flasë dhe shkruaj në emër të shtetit e jo të pushtetit, sepse presupozohet se ti si Akademi Shkence jep vetëm të vërtetën dhe për të ke mendim të pavarur, që mund të mos u pëlqejë pushtetarëve, por mendimi juaj është vendimi i patundur, ndonëse ju si drejtues keni ardhur në krye si pushtetar e kjo ju pengon shumë. Institucioni që drejtoni ka një peshë të madhe, që me gjithë konsideratën që kam për shkencën që i përkisni, nuk mundet dot ta ngrini atë peshë.

Çfarë keni bërë ju, kur them ju me kuptoni institucioni, që të sanksiononi “vjetërsinë e re” të gjuhës shqipe, duke mos u mohuar, por përshëndetur Konferencën e fundit Ndërkombëtare për origjinën e gjuhës, që sot me zbulimet e reja nga arkivat e botës, veçanërisht të Vatikanit e të Stambollit, rezulton se gjuha jonë është tepër e lashtë, ndërsa ju e keni lënë shqipen e shkruar me shkollën e Korçës, pra në atë datë që tashmë dihet dhe “shyqyr” që na e ka vendos komunizmi i vetizoluar. Mirëpo diapazoni i tanishëm ka kohë që është tjetër dhe pikërisht këtë nuk e keni, as kuptuar, as perceptuar. A ka me ofendim më të madh për këtë popull të lashtë, që ende i thuhet se “që në lashtësi libra kemi pasur, por shkolla jo”! Si nuk kemi pasur shkolla?! Po ku kanë mësuar ata që kanë shkruar librat dhe për kë i shkruanin?! Për kë u shkrua “Formula e pagëzimit” kur nuk kishte njerëz që ta lexonin?! Kemi pasur shkolla, madje jo pak në Shqipërinë e sotme londineze dhe në të gjitha trojet shqiptare. Po përmend Shkollën e Kurbinit të themeluar në vitin 1632 në afërsi të Krujës (ka të tjera më thellë në histori), e cila është një prej shkollave të para shqipe.

Ajo i përkiste vilajetit të Shkodrës dhe u ngrit në fshatin Gallatë, pasi aty Gjergj Kastriot Skënderbeu kishte shumë ndikim. Klasa që u hap në 1632 nga Ipeshkvi Gjon Kolesi me dokumente thuhet se kishte 12 nxënës. Përveç leximit e shkrimit, aty jepej dhe mësimi i gramatikës shqipe. Përdoreshin si tekste mësimore veprat në gjuhën shqipe të Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit. Këto kohët e fundit ka pasur zëra të shkruar e të pashkruar, për ta riparë datimin e të parës shkollë shqipe në vendin tonë, por që Akademia e Shkencave as ka lëvizur nga e kaluara e Mësonjëtores së Korçës, vepër kjo e gjurmë e shndritshme e veprës së Rilindësve tanë. Po a nuk janë rilindës edhe ata, që i hapën ato shkolla dy e tri shekuj e gjysmë para kësaj? Shkolla e parë shqipe mund të kërkohet dhe në një tjetër gjeografi rajonale nga ajo e mësipërmja, në Jug të vendit. Dhe kronikat thonë se në vitet 1628-1661, shkolla shqipe me germa latine u hap në Dhërmi të Himarës dhe më vonë edhe në disa qendra të tjera të krahinës. Pa dyshim një kapitull më vete përbën shkolla e parë shqipe në Kosovë, aq më tepër se ajo është e shekullit XVI, afro gjysmëshekulli para shkollës së Kurbinit e Velës.

Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore. Edhe atëherë kur persekutimi i arsimit shqip nga autoritetet osmane ishte i ngritur në sistem, në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut, më 1584 filloi mësimi shqip. Pra, tradita e arsimit tonë kombëtar shqip, rasti më i parë është në trevën e Kosovës. Duke marrë në analizë këtë traditë të vyer të katër shekujve më parë, shkencërisht dhe pa paragjykim, siç i ka hije një historiografie moderne, a nuk është me vend që “datëlindjen” e shkollës shqipe ta shtyjmë më përpara, te një shkollë në Stumbëll, Velë, Kurbin a diku tjetër?! Po ai Universiteti i Durrësit i vitit 1320, që konsiderohet universitet mesdhetar, çfarë është e çfarë tregon. Ai universitet edhe sot në Zadar Kroaci mban po të njëjtën emër, Universiteti i Durrahut! Zyrtarisht ai universitet ka vendosur edhe datën e themelimit, 14 qershorin e vitit 1396 dhe në historikun e tij shkruhet se rektori i parë ishte Gjoni i Dyrrahut dhe se ai e zhvendosi aty universitetin nga Durrësi, atëherë kur te ne nisën tentativat osmane për pushtim. Po ta kishin këtë fakt të tjerët, qoftë edhe vendet më të zhvilluara evropiane, kushedi se çfarë ditirimbesh do t’i kishin thurur atij! Ne, ju, për të asgjë! Shtyjeni burra të shkencës ca me tutje në histori shkrimin e shqipes, siç ka qenë në të vërtetë e shkruar gjuha shqipe në shekuj! Apo teza tjetër që gjuha shqipe është e vjetër 12 deri 20 mijë vjet më parë.

Hipotezat zgjidhen dhe bëhen me Konferenca Shkencore kombëtare e ndërkombëtare, me lobingje dijetarësh, me diskutime e me debatime dhe argumentime shkencore mbarëpërfshirëse, që gjithsesi i shërbejnë në një farë mënyre edhe Sigurisë sonë Kombëtare. Përse të kemi frikë të flasim e të shkruajmë për trojet tona se ku shtrihen, cilët janë e sa janë, madje kush i disponon e si?! Çubrilloviçi, akademiku famëkeq serb për ne dhe i mirë e me reputacion për serbët, ka krijuar alibi edhe atje ku ata nuk kanë pasur as troje, as popuj. Ndërsa ju akademistët tanë të censuruar e vetëcensuruar, keni frikë se kaloni vijën e kuqe politike. Kaq shpejt harruat qëndresën greke për emërtimin Maqedoni e atyre as që i u bë vonë as për Evropën e as për askënd se po shkelnin vijat e kuqe politike?!

Nuk i akuzoi njeri ata për grekomëdhenj e nacionalistë të ethshëm siç janë?! Jo të nderuar studiues të Akademisë, ju duhet të kuptoni e të ndaheni njëherë e përgjithmonë se jeni tjetër gjë e politika është gjë tjetër. U hodh ideja e “Open Ballkan” dhe opinioni plus të tjerave priste edhe mendimin akademik të atij zhargoni të vjetër. Përse nuk u argumentua digresioni i ideve të vjetra e të reja okupuese?! Përse nuk thatë se ajo tezë sabotonte rëndë nacionalizmin e domosdoshëm shqiptar e më gjerë?! Shyqyr që dolën gjermanët dhe e luftuan, pa për ju që nuk kishit asnjë zë se “keni hallin e privilegjeve”! “Open Ballkani” ishte perla e ardhur nga Kardeleviçët. Ju mendoj që thoni se keni shumë plane e projekte, edhe kështu mund të jetë, por sa ta shkrepni ju koburen e ndryshkur të Miladinit, serbosllavët e të tjerë fqinj si gjithnjë kanë nxjerrë “nga groposja” artifaktet e vjetërsisë së përvetësuar e të futura thellë nën tokë këtu e dhjetëra vjet më parë, e do kohë përpara i kanë nxjerrë e i “servirin” si relike të historisë së tyre të vjetër si psh., me Deçanin e Selanikun, me Manastiret puro shqiptare të Kosovës dhe me varrin e trilluar të Filipit në Selanik. Akademia e Shkencave domosdo duhet të japë verdiktin e plotë edhe për idenë e “Shtetit Bektashi” sepse çështja e shtetit të Baba Mondit, është në thelb çështje e Sigurisë Kombëtare, që nuk i takon vetëm Presidentit si garant i Kushtetutës, por edhe fjalës së fundit të Akademisë përse-në dhe pse-në? Me një mënishtet të tillë, nëse krijohet, siguria kombëtare, ajo bëhet më e mirë a më e keqe!

Historinë dhe reperkuisionet e saj më mirë se shumëkush i thonë dhe i dinë studiuesit. Të merresh me Sigurinë Kombëtare, ta analizosh atë nga pikëpamja historike, nuk është se merresh me politikë. Jo, larg këtyre keqkuptimeve me dashje a pa dashje! Në titullin e këtij opinioni, hodha tangent idenë e domosdoshmërisë së diskutimeve masive akademike për probleme madhore të Albanologjisë, tryezë kjo si me anëtarët e Akademisë tonë, ashtu edhe me të gjithë profesoratin shqiptar të fushës, brenda vendit e në diasporë. Faktet e deritanishme tregojnë se jemi larg këtyre opsioneve se siç duket te ju, aty brenda ekziston koncepti se “vetë i dimë të gjitha”. As më parë e as tani, po bëhen 30 vjet që nuk kemi tryeza mbarëkombëtare apo ndërkombëtare me akademistë siç ishte psh., ai me e nga arvanitasit Aristidh Kola i ndjerë ose Arif Mati apo Mateo Aref shqiptar nga Franca, potencial intelektual akademik, ose të vendit si prof. Përparim Kambo, prof. Eleni Kocaqi, prof.Piro Prifti e të tjerë, që kanë mend, argumentime e plot dokumente të zbuluara së fundi, si studiuesi i apasionuar i arkivave të Vatikanit Mark Palnikaj, krenari e jona, që e vlerësoi edhe vetë Papa i shenjtë, ndërsa ne këtyre as u hapim derën e Akademisë.

Mund të them pa droje se vlerat e Mark Palnikajt qëndrojnë mbi ju të ndërtesës së Akademisë, se së fundi ai ka zbuluar një sërë dokumentesh në gjuhën shqipe, të cilat plotësojnë thesarin e historisë shqiptare të mesjetës e më tej. Dhe rëndësia e tyre qëndron dhe është edhe më bindëse, sepse kryesisht shumica janë të shkruara me dorë, ku më të rëndësishme janë shkrimet nga shek. XV e që rezultojnë me vazhdimësi. E në vijim të këtij pasqyrimi, që u bën hije sashave të Akademisë, ju në heshtje edhe mund të thoni se, “ç’na duhen ne Mark Palnikajt e Eleni Kocaqët me studimet e tyre pasiononte?! Kush i ngarkoi”, – kur ne kemi akademistët tanë (në vegjetim), që i kemi plot (për emër po), e duke u kursyer po them pa prodhimtari, pa të dhëna e pa zbulime shkencore. Hodhi dikush para disa kohësh “një shashkë” për origjinën “e dyshimtë” të Gjergj Kastriot Skënderbeut, madje për t’i ulur vlerat heroit tonë dhe na e quajtën edhe me origjine sllave! Po a ka turp më të madh për Akademinë tonë të Shkencave, e cila as u ndje fare, kur urgjentisht duhet të ishin “marrë daullet” dhe me fakte, argumente e ngjarje ajo të rivërtetonte të kaluarën, origjinën shqiptare të Skënderbeut edhe nga nëna, përmes tryezave të mëdha shkencore e dokumentacionit të bollshëm që ekziston. Po ato dhjetëra letërkëmbime të Skënderbeut me kancelaritë e vendeve evropiane, që populli nuk i ka ditur se nuk kishte nga t’i dinte, përse nuk i thuhen që janë të zbuluara sot në demokraci?! Po për vendprehjen e eshtrave të Skënderbeut, tezë e re për eshtrat se gjenden në varrezat në Manastirin e Hilandarit, në pirgun e Kastriotëve, çfarë përpjekjesh ka bërë Akademia në zbulim të së vërtetës?!

Opinioni e kërkon të saktësuar këtë tezë! Në regjimin diktatorial diçka ose shumëçka brenda atij koncepti që ishte atëherë për Akademinë, duhet pranuar e thënë se ajo bëri boll. Psh., vendvarrimin e Skënderbeut e saktësoi, por që mbeti me tezën se eshtrat e heroit “turqit i bënë hajmali”! Mirëpo teza e Hilandarit e hedh poshtë këtë version folklorik dhe tregon se shqiptarët e parë heroin e tyre e fshehën “nën gjuhë” dhe eshtrat nuk i a lanë në përdhosje të pushtuesve. Ndërsa në demokraci, Akademia, fjalën e saj, “ahë se e ka thënë”, madje këto vite nuk e ka thënë për asgjë të rëndësishme shkencore. Edhe një Fjalor Enciklopedik, që ka botuar në këto 30 vite, në përgjithësi vetëm kapakët dhe letrën i ka ndërruar botimit të parë, se zërat kanë mbetur po ato apo janë redaktuar si mos më keq dhe me të meta të mëdha thelbësore gjuhësore e dokumentare.

Nuk mund të themi se nga ato mendime, që hidhen për zbulimet e reja shkencore, nuk tregohet se e vërteta është me autorët pasionantë studiues të historisë, por gjithsesi ato teza duhen hedhur në tryezat e gjëra akademike e nëpërmjet të kundërtave, të dalë e vërteta. Ka plot mendime e studime shkencore, që sot edhe nënvlerësohen. Le të marrim studimet e prof. Sazan Gurit. (Ndjesë prof. për ndonjë zhargon të pa saktë e smirioz që hidhet ndaj jush si i “çartur”. Ju këshilloj “mos u mërzisni” se kështu është folur në hapësirën kohore histori, për njerëzit e shkencës). Si qenka i “çartur” profesori i nderuar, që flet e shkruan me pasion për studimet e zbulimet me vlerë të madhe për lashtësinë e gjuhës amtare?!

Si mund të qëndrohet kaq indiferent ndaj tezës së tij të mirëpëlqyer të pellazgjishtes e nuk bëhet asnjë përpjekje për të “vërtetën”, që pa diskutim duhet ta mbrojë Akademia jonë e Shkencave?! Po përse i bën prof. Guri këto studime, për hobi?! Apo se nuk ka punë tjetër, kur “akademistët tanë” (e kam fjalën për ata që punojnë në zyrat e saj) na paskan “punë të mëdha” dhe supet e tyre na i konceptojnë me “shtatë tuje”?! Që të mos dukem komplet nihilist, po them se aty në Akademi ka studiues të brendshëm e të jashtëm me emër, madje me studime admiruese si akademik prof. Pëllumb Xhufi, prof. Shaban Sinani, prof. Irakli Koçollari etj., por që (e meta) pak shikohen nga opinioni në konferenca shkencore e simpoziume, e aq me pak në tryeza diskutimesh të gjëra e me leverdi për historinë e gjuhën tonë, përveç prof. Xhufit e Koçollarit që dalin në ndonjë emision televiziv. Ndaj ta themi hapur se për arsyet që përmenda, te një pjesë e madhe e studiuesve, ekziston edhe një “inat i verbër” midis tyre dhe të Akademisë, mllef i profesoratit e studiuesve i akumuluar ndër vite, që bazohet te mospromovimi që Akademia nuk u ka bërë e as nuk i stimuluar veprimet e tyre studimore.

Rrugëzgjidhje ka: Akademia të dalë urgjent nga inaktiviteti, të reformojë veten, të reformojë objeksionet e shkencës tonë, ku primare është Albanologjia me fushat përkatëse të gjuhësisë e historisë e këto janë domosdoshmëri e mbijetesës së ardhshme të sajë e të kombit tonë. Ideja e fundit e hedhur nga “lart” për një “reformim shkencor” të punës studimore përfshi kryesisht Akademinë nuk e ndihmon çështjen e daljes së Akademisë nga inaktiviteti për të mos thënë se ai lloj “organizimi” (nëse do bëhet) është një censurim. A mund të realizohen tryezat e përbashkëta shkencore me studiues të fushave nga brenda e jashtë vendit, ku ka shqiptarë të mëdhenj në shkenca të ndryshme? Po! Me gjithëpërfshirje të studiuesve këtu në shtetin tonë, në të katërta shtetet rrotull nesh, ku kemi trojet dhe popujt tanë dhe me amplifikimin e fortë të mendimeve të studiuesve, kjo arrihet dhe është e domosdoshme. Por sa të “hapen këto dyer nga Akademia”, sa të reformohen konceptet e saj dhe sa të dalë ajo nga inaktiviteti, nuk e di sa duhet të presim! Nëse nuk qëndrojnë këto që përmendëm e nuk i pëlqejnë Akademisë, konkluzioni është i thjeshtë fare: A mundet Akademia e Shkencave t’i thotë opinionit me dy fjali se “çfarë shkence ka bërë në këto vite dhe në cilën fushë”?! Po na e tha këtë, hallall!

* Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes / Panorama