Kryeministri i Malit të Zi me mandat teknik, Dritan Abazoviç, të martën ka akuzuar ish-zyrtarin e lartë të policisë malazeze, Zoran Lazoviç dhe biznesmenin Ranko Uboviç, se duan likuidimin e tij.
“Ju e dini që unë kurrë nuk e bëj veten viktimë, as nuk kam frikë nga njerëz të tillë, ata njerëz duan likuidimin tim”, deklaroi Abazoviç, transmeton mediumi malazez “Vijesti”.
Ai theksoi se është një nder i madh për të që ka drejtuar gishtin në majën e piramidës kriminale në Mal të Zi dhe ka goditur njerëzit drejtpërdrejt në zemër.
“Nuk ka problem, shihemi në gjykatë. Unë i kam paraqitur pretendimet e mia. Pretendimet e mia janë konfirmuar në një pjesë nga Europoli, në pjesën tjetër shpresoj se do të konfirmohen nga SDT (Zyra e Prokurorisë Speciale) në një periudhë të caktuar”.
“Vetëm gojët e vdekura nuk flasin. Por ata u vonuan, unë paralajmërova dhe thashë ose të vijnë tek unë ose do të shkoj tek ata. Është shumë vonë për ta”, shtoi Abazoviç.
Ndërkaq, Lazoviç, Uboviç dhe kompania Bemax kanë ngritur padi duke kërkuar nga Abazoviç 21 mijë euro secili për shkelje të të drejtave personale.