Abdixhiku e quan “moçal të pështymave” diskursin e Kurtit

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ditë më parë, Kurti kishte deklaruar se opozita “do të plaket në opozitë” dhe i kishte krahasuar kundërshtarët politikë me “miza.”

Duke iu përgjigjur këtyre komenteve, Abdixhiku theksoi se nuk ka ndërmend të përdorë ofendime apo gjuhë fyese gjatë fushatës zgjedhore.

“Nuk merremi me çështje negative në këtë fushatë. Kemi përpara një obligim të madh qytetar dhe ky obligim na thërret për propozime konkrete e për ide të ardhshme se si të bëhet vendi”, deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se fushata e LDK-së nuk do të përfshihet në gjuhë përçarëse apo në “moçalin e madh të pështymave.”

“Askush nuk është për t’u sharë e përçare. Jemi për të prezantuar punën e ardhshme të Republikës së Kosovës, sepse ne duhet t’ju shpjegojmë qytetarëve tanë se për çfarë qëndrojmë”, theksoi ai.

Abdixhiku ftoi qytetarët që të ndjekin tubimet e LDK-së, ku do të prezantohen planet për katër vitet e ardhshme. Njëkohësisht, ai sfidoi kryeministrin Kurti për një debat publik.

“Kurse kryeministrin në ikje e ftoj edhe në ballafaqim publik, le t’i masim idetë për të ardhmen”, përfundoi ai.