Akad. Gjovalin Shkurtaj: Veprat e Ismail Kadaresë – jehonë madhështore e gjuhës shqipe dhe vlerave etnokulturore e shpirtërore të kombit shqiptar

1. Prelud:

Më 1 korrik, kur mësova se Ismail Kadareja u nda prej nesh, ashtu siç isha në një bar duke pirë kafen e mëngjesit, mora celularin dhe nisa në adresën e akademikëve  një shfrim të pikëllimit të ligjshëm për Njeriun e Madh të letrave shqipe:

“Kjo ditë e parë e muajit korrik erdhi me një kumt aq trishtues: qenka ndarë së gjallësh Ismail Kadareja, poeti, shkrimtari, mendimtari dhe akademiku ynë, pak të thuash më i lavdishmi i ditëve tona.

Natyrisht, pikëllimi e dhimbja janë të mëdha, por duke parafrazuar Migjenin, do të thoshim se është “dhimbje krenare”, është dhimbje për atë që na përfaqësoi e na bëri krenarë në botën e letrave, duke u lexuar veprat e tij në mbarë hapësirat e shqiptarisë, po edhe duke u përkthyer veprat e tij në frëngjisht e në shumë gjuhë të botës.

Nuk është sot rasti të përsërisim vlerësimet meritore për gjuhën e stilin e Tij, për të cilat edhe është shkruar e do të shkruhet prapë, por le ta bashkojmë sot dhimbjen e madhe me bindjen se burra si Isamil Kadareja i vijnë rrallë një kombi të vogël dhe se ai, ashtu si Nënë Tereza, me emrin e lavdinë e tij e bëri të madhe gjuhën shqipe dhe i la emër të madh Shqipërisë, u la krenari të pavdirë Shqipërisë e kombit shqiptar.

I qoftë e lehtë mbi shtat lëndina e Atdheut, për të cilin ai i bëri dhe malet të mendohen dhe sot, pa dyshim, fushat dhe malet e Shqipërisë kanë rastin të lëshojnë jehonë vajtimtare.

Durrës, 1 korrik 2024

2. Për gjuhën dhe prurjet ligjërimore në veprat e Ismail Kadaresë është shkruar jo pak, edhe unë, në rrjedhë të moteve, kam folur e shkruar artikuj e studime mirëfilli për prurjet e kahet e fjalëkrijimit të tij. Po lejohem të përmend disa pika nga trajtimet e mia për gjuhën e Kadaresë, të botuara në librin “Kadareja dhe fjala shqipe” (bashkautor me Tefik Çaushin) dhe te librat e mi: “Pesha e fjalës shqipe” (UFO Press, 2009) etj..

1. Veprat e Kadaresë si jehonë madhështore e gjuhës shqipe dhe e kombit shqiptar.

2. Gjuha shqipe dhe jetësia e saj në vizionin artistik të Ismail Kadaresë.

3. Koncepti i Kadaresë për gjuhën si njësia themelore dalluese e kombit.

4. Prurjet leksikore e togfjalëshat e shqipes së hershme e krahinore me vlerë pohuese dhe fisnikëruese.

5. Fjalë të përdorura me mëtime mirëfilli gjuhëpastruese: – ndajfoljet me -shëm: ankthshëm, frikshëm; emrat me -najë (bornajë, sherrnajë, grunajë)etj.

Disa vlerësime më të veçanta.

Kadareja është i lidhur me shqipen e shqiptarinë si Anteu mitik me tokën. I nisur prej një mjedisi si Gjirokastra, me pak tokë e shumë gurë, ai do të bënte pikërisht “kronikën në gurë” të Atdheut të vet.

Gurët, malet e ushtima e tyre do të ishin qysh në fillim të shkrimtarisë së tij “baza e nisjes”së tij. Ashtu si Naimi, që e niste poemën e vet me vargun “O malet e Shqipërisë…” edhe Ismail Kadareja metaforën më të fuqishme do të kishte malet:”Përse mendohen këto male…”Dhe ai, si një mal i lartë, do të ngrihej mbi të gjithë brezin e vet, duke na lënë  aso veprash që, pa dyshim, Shqipërinë e vogël e bëri të madhe, gjuhën shqipe e vuri krahas gjuhëve më të lexueshme dhe prej saj, opusi letrar i Kadaresë do të botohej, së pari, në frëngjisht në Francë, pastaj edhe në mbi 40 gjuhë e vende të tjera të botës.

Nuk kam qenë mik a shok i Kadaresë. Mund ta kem takuar tri a katër herë, në raste tubimesh letrare dhe, në vitet e fundit, në Akademi, kur iu dha çmimi i karrierës. Pra, kam qenë lexues dhe studiues e vlerësues i veprave  të tij, sidomos i gjuhës  dhe i konceptit të tij për rolin e shqipes si tipari themelor përbashkues e njësues i kombit shqiptar; natyrisht kam qenë e jam edhe adhurues i mjeshtërisë  së tij në njohjen, prurjet dhe përzgjedhjen e fjalëve e figurave, krahasimeve e metaforave aq të mahnitshme e origjinale, si dhe të ndihmesave të tij të pakundshoqe si fjalëkrijues e fjalëfisnikërues krejt  i veçantë.

Kam folur e shkruar për Kadarenë, jo pak në rrjedhë të viteve, artikuj, studime dhe një libër “Kadareja dhe fjala shqipe” (bashkator me Tefik Çaushin).

Nuk është rasti t’i përsëris ato që kam thënë e shkruar, sepse janë dhe në librat e mi të botuar “Ta duam e ta mbrojmë gjuhën tonë të bukur” dhe “Pesha e fjalës shqipe”. Do të theksoj se, kur ikin nga kjo jetë burra të mëdhenj si Ismail Kadareja, botës së letrave (kritikëve, studiuesve, mësuesve dhe pedagogëve të shkollave të larta e, mbi të gjitha, atyre që drejtojnë shtetin e institucionet arsimore e kulturore, u bie detyra të veprojnë si bujqit mbas korrjeve të begata:

Të shtrojnë pyetjet: Çfarë na la? Çfarë të bëjmë me gjithë atë prodhimtari shkrimore të madhe, të larmishme e të gjithnduershme: poezi, poema, balada, prozë të shkurtër, tregime e novela, ese dhe sprova; prozë të gjatë, romane me teamtikë të rëndësishme nga e shkuara dhe e sotmja e popullit tonë, vepra të ripunuara e të përpajnuara në ribotimet e viteve të fundit etj..

Si bujqit e mirë që, së pari, ndajnë e lënë në ruajtje farën; ndajnë kokrrat më të shëndetshme për t’i mbjellë. Ndajnë drithin e bukës së përditshme dhe, duke e shoshur e hedhur me kujdes, heqin dhe çdo grozhël a kllogjër që duhet lënë mënjanë.

Për mua, si “gruri i farës” dhe si “drithi i bukës” do të mbeten modeli i shkrimtarisë dhe përzgjedhja e temave të shkrimtarisë nga Kadareja. Mbeten me vlerë të pavdirë puna me gjuhën e vlerësimi për shqipen e shqiptarinë, pohimi i vlerave dhe i jetësisë së shqipes si gjuhë pjellore e jo si “gjuhështerpë”, njohja dhe pohimi i hireve të shqipes si gjuhë e një populli që është në anën e diellit e në kundërvënie me hënën.

Le të kujtojmë strofën kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut:

“Si dritë e plotë ai shtjellej

Me re dhe erë  mbi Atdhe,

Një emër Gjergj e kish si diellin,

Tjetrin si hënën, Skënderbe.”

Motivin e kundërvënies, Kadareja e ka zgjeruar më tej e më shquarazi te poezia “Gjuha shqipe”. Aty, osmanët, bartësit e simbolit hënë, kundërshtarët e diellit u hodhën në sulm të tërbuar, por kështjellat shqiptare më të forta nuk i pushtuan kurrë. Këto kështjella janë “kështjellat e sintaksës” shqipe, janë palca e gjymtyrët e gjuhës  që mbeten të pathyeshme.

Mua si gjuhëtar, më ka ngazëllyer qëndrimi i drejtë i Ismail Kadaresë për gjuhën e sotme letrare shqipe. Ai, disa herë, ka gjetur rastin dhe ka shprehur qartë e prerë se gjuha shqipe e njësuar, ashtu si e kemi sot, është vepër me vlera të mëdha kombëtare; ajo është farkuar e njësuar si fryt i një pune më se shekullore të brezave  të tërë të shkrimtarëve dhe mendimtarëve  përparimtarë të kombit shqiptar. Kadareja, ashtu si gjithë krijuesit më të shquar shqiptarë të sotëm, brenda dhe jashtë trojeve të Republikës së Shqipërisë, i mëshon pikërisht përgjegjësisë  gjuhësore të shkrimtarit.

Për të gjitha këto, jam i bindur se Kadareja ynë i ka merituar të gjitha epitetet dhe atributet  e një mjeshtri të madh të fjalës shqipe. Jehona e veprave letrare të Ismail Kadaresë është, në të vërtetë, jehonë madhështore e gjuhës  sonë të ëmbël e të pavdekshme.

Ismaili u nda sot prej nesh, por vepra e tij na mbetet  përjetë si pasuri e pavdirë e trashëgimi kombëtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Durrës, 3 korrik 2024