Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po e vazhdon dëshminë e tij dëshmitari Gjergj Dedaj në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut gjatë dëshmisë së tij ka paraqitur edhe një letër e tij të cilën ai e kishte dërguar aty në nëntorin e vitit të kaluar.
“Me postë nga Prishtina e kam dërguar në nëntorin e vitit të kaluar”, tha fillimisht Dedaj.
“Distancohem nga deklaratat e mia në Eulex dhe në ZPS dhe publike që ne mënyrë të padrejtë kam akuzuar njerëzit në Hagë, ishte për inate politike. Deklarata të dhëna për hakmarrje, kam qenë në gjendje të rëndë. Kam bërë deklarata të pamatura, të ekzagjeruara”, tha Dedaj në Hagë.
Në letër Dedaj kishte shkruar pse kishte bërë akuzat e rënda ndaj Hashim Thaçit për kohën e luftës, në të cilat ai e shënjestronte atë si përgjegjës për “sulme ndaj tij”.
“Për këtë letër mbaj përgjegjësi personale, pa asnjë nxitje, më ka buruar nga zemra. Unë që 25 vjet nuk bëj gjumë të rehatshëm”, tha Dedaj.