110 vjet më parë Spiro Milo, i lindur në Himarë, sëbashku me një bandë andartësh grekë vërshoi në fshatrat e Himarës dhe lumit të Vlorës duke masakruar popullsinë vendase. Qëllimi ishte i qartë; spastrimi etnik dhe helenizimin e asaj pjese të Labërisë.
Banorët edhe sot flasin për masakrat e 1913-1914 të cilat fatkeqësisht janë lënë në harresë nga historianët. U shkatërrua Bolena, u dogj Borshi, gjithë zona ishte objekt i agresionit të andartëve.
Vitin e ardhshëm në 110 vjetorin e vet, banorët do të rikujtojnë këtë ngjarje të dhimbshme në historinë e tyre, do të kujtojë heronjtë që i shpëtuan nga helenizimi por po aty do të përballen me realitetin e ri, me kryetarin e sapozgjedhur të bashkisë i cili për shkak të pozicionit do të duhej të jetë pjesë e kësaj përkujtimore.
Por a do të shkoj ai?
Është hera e parë që besoj që marrëzia e atij njeriu i cili ishte pjesë e bandës që kreu masakrën e Peshkëpisë mund të guxojë të jetë pjesë e asaj përkujtimore ose të organizojë ai vet një përkujtimore por jo për të folur për masakrat, genocidin ndaj Shqiptarëve por për të folur për luftën e “lavdishme” të Spiro Milos dhe andartëve grek për helenizimin e Himarës dhe fshatrave të lumit të Vlorës.
Pse jo? Në fund të fundit ai e fitoi drejtimin e Himarës me atë kartë, madje fitoi apo bleu vota dhe në Labëri apo Borsh. Vota e dhënë apo e shitur e atyre banorëve i jep legjitimitet Fredi Belerit të përmbushi misionin e Spiro Milos. Shitja e votës aty nuk është thjesht një fenomen i paligjshëm i cili duhet ndëshkuar, por është një tradhti kombëtare për të cilën shitësit do përballen me historinë. Me historinë do të përballen edhe ata që i hapën rrugën Fredi Belerit të shpalos platformën e helenizimit të Himarës.
Por më parë Fredi Beleri duhet të përballet me drejtësinë për të sqaruar pozicionit e vet në lidhje me akuzën e blerjes së votës. Vendimi i gjykatës sot ka rëndësi jo aq shumë për procesin e shit-blerjes së votës sesa për procesin e lënë në mes nga Spiro Milo, pra të helenizimit të asaj pjese të Labërisë.
*Alket Veliu, Kryetari i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”