Altin Prenga prej disa vitesh kishte kthyer në Zadrimë të Lezhës traditën e kultivimit të orizit. Ishte ai bashkë më të vëllanë që rikthyen një traditë të para viteve ’90, por tashmë biznesmeni Altin Prenga thotë se ka dështuar kultivimi i orizit. Në një postim të ndarë në Facebook, Prenga shkruan se ky do jetë viti i fundit që do e mbjellin orizin pasi janë lodhur duke luftuar.
Por, përse dështoi kjo iniciativë e Altin Prengës, i cili ka krijuar një model në agroturizëm me Mrizin e Zanave? Prenga shkruan se shkak është bërë një koncesion i dhënë nga qeveria e vitit 2010, që asaj kohe drejtohej nga Sali Berisha.
Prenga shkruan se ky koncesion që i është dhënë një kompanie austriake, ku miliona metër kub ujë që derdhen në Zadrimë nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, nuk do lejohen më që të përdoren nga fermerët për vaditje. Prenga e cilëson këtë koncesion një trup, ndërsa thotë se është krim që t’i hiqet uji bujqësisë.
“Dështuam këtë vit me orizin dhe do jetë viti i fundit që do e mbjellim sepse jemi lodhur duke luftuar! Do i qëndrojmë orizit kinez sepse kështu është ndërtuar sistemi jonë.
Kjo sepse dikush nga qeveria e asaj kohe në vitet 2010 dha një koncesion një kompanie Austriake ku miliona metër kub ujë që derdhen në Zadrimë nga hidrocentrali i vaut të dejës dhe që përdoreshin verës për vaditje tani nuk mund të përdoret më asnjë pikë ujë në shtator. Koncesioni është një turp, kuptoj uji i tepër por që t’i hiqet bujqësisë është një krim.
Falënderoj shumë mikun tim profesor Filip Haxhari që na ka mbështetur në këtë nismë dhe i kërkoj ndjesë me përulësi. Në Itali ku ai drejton institutin më prestigjioz të europës me një skuadër mbi 40 shkencëtar dhe ku banka e tyre gjenetike kishte fara të vitit 1880″, shkruan Prenga.