Ambasadori ukrainas në Serbi: Në Ukrainë po shtohen zërat për njohjen e Kosovës

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, ka thënë të martën se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

Megjithatë, Tolkach theksoi se qëndrimi i Ukrainës për njohjen e Kosovës mbetet i pandryshueshëm, për shkak se çështja e “krijimit dhe zbatimit të politikës së jashtme në përputhje me legjislacionin ukrainas i takon presidentit të Ukrainës”.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në shkurt 2008.

Tolkach i bëri këto komente pas një interviste të kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit ukrainas, Oleksandr Merezhko, për kanalin T7 në Kosovë.

Merezhko kishte thënë më 7 gusht se “njohja e Kosovës nga Ukraina po diskutohet në Kiev.”

Në një komunikatë për media më 8 gusht, Tolkach nënvizoi se “është në veçanti e rëndësishme për Ukrainën që t’i respektojë dhe të sigurohet për mbrojtjen e normave të ligjit ndërkombëtar nga të gjitha shtetet, posaçërisht sa i përket integritetit territorial dhe pacenueshmërisë së kufijve shtetërorë të njohur ndërkombëtarisht”.

“Qëndrimi i Ukrainës është parimor dhe i qëndrueshëm – Ukraina e respekton integritetin territorial të Serbisë”, thuhet në komunikatën e ambasadorit Tolkach.

Por, Toklach tha se lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.

Ai e pranoi se nuk është befasi se zërat po rriten gjithnjë e më shumë në shoqërinë ukrainase në përkrahje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ukraina, si vend demokratik i cili e respekton lirinë e fjalës, nuk mund ta kufizojë shprehjen e mendimit të politikanëve të tjerë, të rrethit profesional apo publikut”, theksoi ai.

Tolkach nënvizoi se Serbia, megjithëse deklaron mbështetjen për Ukrainën, po zhvillon dialog aktiv politik dhe bashkëpunim ekonomik me Rusinë.

“Prandaj, ne përsëri i bëjmë thirrje Serbisë, kandidatit për anëtarësim në BE, ta harmanizojë politikën e jashtme, veçanërisht sa i përket agresionit të Federatës ruse kundër një vendi të tjetër kandidat – Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e përbashkët të familjes evropiane”, tha Tolkach.

Ambasada e Ukrainës në Beograd i ka bërë thirrje Serbisë në të kaluarën t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

(REL)