Nga William Hague “Sunday Times”
Ne jemi duke hyrë në epokën e migrimit. E matur në numër njerëzish, kjo e kësaj here ka të ngjarë të jetë në një shkallë që nuk është parë ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Sipas parashikimeve më të fundit të OKB-së, popullsia e Afrikës dhe Lindjes së Mesme do të rritet me rreth 320 milionë deri në fund të kësaj dekade, dhe 1.17 miliardë deri në vitin 2050.
Ne duhet të shpresojmë që ky numër i madh njerëzish të rinj në moshë, të lidhur në mënyrë dixhitale do të përparojnë në ekonomi të forta dhe në sisteme politike të qëndrueshme. Por është thjeshtë realiste të supozohet se shumë prej tyre do të nxiten nga varfëria, persekutimi dhe ndryshimi i përshpejtuar i klimës që të kërkojnë mundësi apo siguri diku tjetër.
Sidomos për shkak se mund të shohin nga afër jetën në vendet që mund t’i shohin vetëm në telefonat e tyre. Edhe sikur vetëm 1 në 20 njerëz të atij rajoni të emigrojnë deri nga mesi i shekullit – sigurisht një vlerësim konservativ – do të kishim 140 milionë emigrantë.
Shifra shumë më të vogla emigrantësh që janë zhvendosur drejt veriut vitet e fundit, po e transformojnë tashmë politikën e Evropës. Javën e kaluar, qeveria holandeze u rrëzua pikërisht për shkak të dallimeve të papajtueshme mbi politikën e migracionit.
Partitë e së djathtës ekstreme janë sot në krye të qeverisë në Itali, mbajnë në këmbë qeverinë e koalicionit në Suedi, dhe sapo kanë fituar zgjedhjet lokale në Gjermani. Edhe pse zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë janë 3 vite larg nga tani, perspektiva është se mund të fitohen nga Marine Le Pen e ekstremit të djathtë, pozitat e së cilës janë forcuar nga reagimi kundër trazirave të dhunshme dhe premtimi për të miratuar ligje të rrepta që e kufizojnë ndjeshëm emigracionin.
Këtu në Britani, emigracioni luajti një rol kyç në referendumin që solli largimin nga Bashkimi Evropian, edhe pse emigracioni, i shtuar nga njerëzit që i ikin luftës në Ukraina, që largohen nga Hong Kongu, kërkojnë arsim dhe personel në shërbimet tona shëndetësore, është më i lartë tani sesa atëherë. Deputetët do ta angazhohen këtë javë në debate të ashpra mbi Projektligjin e Migrimit të Paligjshëm, ndërsa ministrat e qeverisë po përpiqen të pengojnë emigrantët të kalojnë kanalin me politikën e tyre të zhvendosjes në Ruanda, duke qëndruar brenda detyrimeve ligjore ndërkombëtare.
Nëse jemi vetëm në fazat e hershme të epokës së emigrimit, ndarjet e forta që ka nxitur ky fenomen nuk janë një shenjë e mirë për politikën e ardhshme të këtij kontinenti, tashmë të destabilizuar nga zemërimi nga të gjitha anët. Votuesit po kërkojnë që qeveritë e tyre të tregojnë se kanë nën kontroll kufijtë të tyre.
Këto kërkesa po dëmtojnë shumë parti të krahut të majtë, që zakonisht cilësohen si më të hapura ndaj emigrimit. Megjithatë, përgjigja nga e djathta nuk mund të jetë aq e thjeshtë sa parandalimi i emigrimit. Sepse përfundimi i dytë i qartë që vjen nga parashikimet e demografëve është se nevoja e vendeve evropiane për emigrantë do të jetë e pashmangshme. Parashikimet e OKB-së tregojnë se 61 vende në mbarë botën mund të përjetojnë rënie të popullsisë së tyre përpara vitit 2050, dhe shumica e tyre janë në Evropë.
Ndërsa qytetarët e tyre bëhen më të moshuar dhe më të sëmurë, kanë nevojë për emigrantët. Për këtë nuk mund të ketë një ilustrim më të mirë sesa njoftimi i së premtes së kaluar nga qeveria italiane, e udhëhequr nga kryeministrja e ekstremit të djathtë Georgia Meloni.
E zgjedhur me një platformë të ashpër kundër emigracionit dhe duke premtuar masa shumë më energjike për të kontrolluar hyrjen e paligjshme të emigrantëve në Itali, administrata e saj do t`u japë 425.000 leje pune shtetasve që nuk vijnë nga vendet e BE-së, për të lehtësuar mungesën e fuqisë punëtore në sektorë të tillë si turizmi dhe ndërtimi.
Idetë e “Konservatorëve të Rinj”, një grup deputetësh konservatorë që po bëjnë thirrje për kontrolle më të ashpra të imigracionit, dalin në fakt kundër të njëjtit realitet. E vetmja mënyrë që ata të mund të zbatojnë një plan për të reduktuar shifrat në rreth çerek milioni në vit, ishte ndalimi i dhënies së vizave për punonjësit e kujdesit.
Por kjo do të prodhonte menjëherë një krizë të rëndë në kujdesin social. Ata donin gjithashtu një reduktim drastik të vizave studentore, por kjo do të shkatërronte të ardhurat e universiteteve tona. Ky është realiteti i sikletshëm për të gjithë ne në të djathtë, që kemi premtuar një emigrim më të ulët sesa në të kaluarën: nëse nuk mund të krijojmë si me magji një popullsi më të re, më të përshtatshme, më të gatshme dhe më të trajnuar, atëherë kemi nevojë për emigrantët.
Ndërkohë ekziston një realitet i ri edhe për të majtën: një politikë e dyerve të hapura ndaj emigrimit do të jetë e pamjaftueshme për epokën e re, dhe do të sjellë asgjësimin e saj elektoral. Konservatorët e linjës së ashpër, mund të përpiqen të shtojnë numrat e tyre, por homologët e tyre laburistë, në përpjekje për të dobësuar masat e Rishi Sunak ndaj emigracionit të paligjshëm, duhet gjithashtu të përgatiten për epokën e re.
Retorika e krye-opozitarit Keir Starmer është bërë më e ashpër ndaj emigracionit të paligjshëm. Por detajet e politikës laburiste sugjerojnë ende një qasje më të dobët. E majta dhe e djathta, në Britani dhe në mbarë Evropën, duhet të kalojnë nga qëndrimet tradicionale tek ato më pragmatike.
Dhe politikat e reja mund të gjenden në tre parime për të ardhmen: vendosja e kontrollit, krijimi i mundësive dhe promovimi i identitetit të përbashkët. Vendosja e kontrollit është themeli jetik i çdo politike të arsyeshme mbi migracionin. Është kjo arsyeja pse unë personalisht e simpatizoj qasjen e qeverisë ndaj bandave kriminale që nxisin kalimet e paligjshme të Kanalit, pavarësisht kostove, sfidave ligjore dhe kompleksitetit të projektit të dëbimit të tyre në Ruandë.
Kritikët duhet të na tregojnë bindshëm se çfarë do të bënin në vend të kësaj, sepse nëse një politikë e tillë nuk funksionon, një qeveri e ardhshme do të shtyhet të tërhiqet nga kornizat ligjore ndërkombëtare siç është Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Megjithatë politika e mirë, përfshin gjithashtu edhe krijimin e mundësive për emigrantët, përfshirë refugjatët, që sjellin fuqi të mëdha në vendin e tyre të ri. SHBA-ja përfaqëson modelin e jashtëzakonshëm të rolit vendimtar që ka emigracioni në arritjen e epërsisë ekonomike dhe teknologjike.
Ai është një arsye e fuqishme pse Amerika do ta fitojë sfidën e Kinës, një shoqëri shumë më e mbyllur. Ne në Britani kemi sektorë kyç për të ardhmen, si Inteligjenca Artificiale dhe shkenca kuantike, dhe për këtë po kërkojmë njerëzit më të talentuar në botë.
Ne s’duhet të lejojmë që fiksimi për uljen e numrit të emigrantëve të na pengojë që t’i tërheqim ata njerëz. Ne mund të futim në përdorim viza speciale për talentet e shquara, për të sjellë këtu mendjet më të zgjuara. Në këtë aspekt, Britania ka bërë më mirë sesa shumë nga fqinjët tanë.
Disa nga udhëheqësit tanë politikë janë fëmijë emigrantësh. Por s’duhet të jemi të vetëkënaqur. Epoka e ardhshme e migrimit është një arsye tjetër për t’u siguruar që shtetësia britanike të mbartë detyrime dhe të drejta. Laburisti David Lammy kishte të drejtë kur foli për nevojën “për të mbyllur të çarat që po rrënjosen në shoqërinë moderne”. Propozime të tilla për integrim do të jenë të rëndësishme. Epoka e emigrimit është afër nesh. /albeu