Nga Dorian Hatibi
Një ekip studiuesish vendas dhe të huaj prezantuan në Institutin e Arkeologjisë gjetjet e reja mbi historinë, përdorimin dhe funksionet e strukturës më të madhe antike në Durrës, amfiteatrit të ndërtuar në periudhën romake. Kërkimet sollën edhe rindërtimin e aspekteve volumetrike dhe të të gjithë strukturës përmes formatit virtual “3D”.
Ditën e djeshme pranë ambienteve të Institutit të Arkeologjisë në Tiranë u paraqitën për herë të parë rezultatet e një kërkimi shumëvjeçar mbi Amfiteatrin e Durrësit. Studimi është realizuar nën drejtimin e Prof. Dr. Eduard Shehit, Prof. Dr. Henner von Hesberg dhe me ekspertizën e Dr. Domenik Lengyel dhe të Prof. Dr. Catherine Toulouse. Kërkimet synonin rikrijimin e aspekteve volumetrike, njohjen e funksioneve të amfiteatrit, strukturën e tij dhe të ambientit rrethues.
Por çfarë përfaqëson Amfitetari i Dyrrachiumit? Kur dhe si u ndërtua ai? Kush e financoi dhe për çfarë shërbente ekzaktësisht? Këtyre pyetjeve shkencat e historisë, arkeologjisë, gjeologjisë dhe inxhinerisë po i përgjigjen gjithmonë e më shumë përmes teknikave moderne, siç është rindërtimi i aspekteve volumetrike dhe të të gjithë strutkurës përmes formatit virtual “3D”.
Amfiteatri
Ende sot nuk e njohim datën e saktë të fillimit dhe të përfundimit të punimeve për ndërtimin e monumentit, por ajo që dimë nga mbishkrimet është se ai u ndёrtua në kohën e perandorit Adrian, mes viteve 117-138 të Erës Sonë, nga një patric lokal.
Gjithashtu nuk përjashtohet aspak mundësia që një ndërtim i tillë të ketë nisur gjatë fundit të sundimit të perandorit Trajan, rreth viteve 110-117, dhe më pas të ketë përfunduar në kohën e sundimit të perandorit Adrian.
Vepra të tilla madhore nuk mund të realizoheshin as brenda disa viteve dhe as brenda një dekade. Aq më tepër që financimi për ndërtimin e strukturës ishte 100% lokal, pra nga vetë qyteti i Dyrrachiumit.
Sipas një teorie shumë interesante, romakët shpesh herë nuk i ndërtonin amfiteatrot nga hiçi por përshtasnin si të tilla teatrot të stilit grek, që tashmë gjendeshin në zonë. Sot nuk kemi prova për të pohuar se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Dyrrachium, por kjo gjithsesi është e mundur.
Kur u zbulua fillimisht nga arkeologët në shekull e kaluar, u mendua se struktura ishte “mbi 150 metra e gjatë“, por studimet e thelluara të realizuara së fundmi e ridimensionuan hapësirën në 119 metra gjatësi, 97 metra gjerësi dhe rreth 20 metra lartësi. Gjithashtu dikur mendohej se ai mund të mbante 15.000-20.000 spektatorё, por sot është e qartë se edhe kjo shifër duhet ridimensionuar në zbritje.
Nga këndvështrimi i kohës ai ndodhej jashtë, në periferi të qytetit, qendra e të cilit gjendej disa qindra metra më në verilindje. Në fakt hipotezat më të mundshme japin murin fortifikues të antikitetit klasik në veri të amfiteatrit, në zbritje nga kodra me lartësi 58 metra dhe që lidhej me qytetin përmes galerisë (koridorit) veriore.
Ai kishte pamjen e njё ndërtimi gjigant, i denjё pёr madhёshtinё e qytetit romak të kohës. Një veçanti tjetër ishte fakti se si rallë herë për kohën, amfiteatri i Dyrrachiumit ishte i mbёshtetur nё kodrën jugperëndimorë të qytetit. Shumё gurё të përdorur në ndërtimin e tij ishin marrё nga gadishulli i Karaburunit.
Momente nga prezantimi i gjetjeve në Institutin e Arkeologjisë. Foto: Media Amfora
Amfiteatri dukej lehtësisht nga deti dhe madje ishte pamja e parë që vizitorët kishin kur futeshin në Dyrrachium. Ai sundonte të gjithë peizazhin rreth e rrotull, duke dhënë idenë e rëndësisë që kishte qyteti për kohën. Qark tij ndodheshin vepra arti si skulptura, shatërvane apo relieve të cilat tregonin histori të ndryshme për vizitorët që nuk e njihnin Dyrrachiumin. Ai ishte me shumë mundësi i mbuluar me tenda, për të mbrojtur spektatorët nga elementet atmosferikë, si vapa, dielli, shiu dhe era.
Funksioni
Ndryshe nga imagjinata kolektive moderne, amfiteatrot e kohës romake nuk ishin hapësira vetëm për ndeshjen e gladiatorëve. Ato kishin një seri funksionesh të tjera publike që kishin rëndësi të jashtëzakonshme në jetën qytetare, shumë më të madhe së ndeshja e gladiatorëve.
Së pari ato ishin vendgrumbullime për ushtrimin e demokracisë. Kishte për shembull raste kur kërkohej mendimi i qytetarëve në lidhje me vendimet e rëndësishme apo raste të tjera kur atyre duhej t’i komunikohej një vendim i rëndësishëm i parisë së qytetit. Në këto raste, por dhe në të tjera grumbullimi i popullit bëhej në amfiteatër.
Së dyti kjo strukturë shërbente edhe si një vend për festivalet e ndryshme të kalendarit romak, si për shembull “saturnalet” apo “lupercalia”. Dihet se romakët gjatë vitit zhvillonin minimumi 44 festivale, të cilave i shtoheshin edhe dhjetra të tjera lokale, pa llogaritur celebrimet perandorake. Pra në këto kushte, pothuajse çdo javë e vitit diellor ishte e mbushur me aktivitete në Amfiteatër. Në disa nga këto festivale rituali kërkonte edhe ndeshjen e përgjakshme të gladiatorëve.
Së treti në amfiteatër zhvilloheshin ndëshkime publike si në rastin e martirizimit të të krishterëve apo të atyre të cilët konsideroheshin rebel, kriminel apo të jashtëligjshëm.
Së katërti struktura shërbente edhe si vend për celebrimet e fitoreve ushtarake apo për celebrime të tjera.
Ceremonitë, festivalet dhe lojërat vazhdonin shpesh për ditë apo edhe për javë të tëra dhe zakonisht përfundonin me dhunë të shfrenuar midis fraksioneve të ndryshme, ashtu siç rëndomtë ndodh në kohët moderne me tifozeritë kundërshtare. Ndoshta edhe për këtë arsye ai ishte ndërtuar në periferi, pra për të izoluar rrëmujat dhe zënkat që ndodhnin.
Amfiteari kishte edhe një funksion gjysmë të fshehur, i cili kishte të bënte me shtresëzmin social. Në fakt unazat e tij funksiononin si tregues i përkatësisë në shoqërinë e kohës. Sa më i lartë ishte rangu, aq më afër arenës ndodhej ulësja. Renditja e spektatorëve bëhej sipas kësaj radhe, në shkallët e poshtme uleshin patricët dhe zyrtarët më të rëndësishëm të qytetit. Më lart tregtarët, zejtarët dhe më pas qytetarët romak. Në shkallët më të larta, pra më larg arenës, uleshin gratë, fëmijët dhe në fund skllevërit.
Braktisja
Amfiteatri mes viteve 138-345, pra për më shumë se 200 vite ishte struktura më e rëndësishme e Dyrrachiumit. Sidoqoftë tre faktor madhor ndikuan fillimisht në rënien e prestigjit dhe më pas në braktisjen e tij përfundimtare.
Faktori i parë dhe më i rëndësishëm ishte ngritja e krishterimit, i cili pas vitit 313 po bëhej gjithmonë e më shumë përcaktues në jetën publike të perandorisë. Ceremonitë pagane, dhuna e shfrenuar dhe degradimi moral i popullatës nga festat ishin të papërputhshme me natyrën e fesë së re, e cila shihte tek dëlirësia morale, paqja dhe monoteizimi, çelësin jo vetëm për shpëtimin e shpirtit personal, por edhe të shoqërisë në tërsi. Kështu amfiteatri u kthye në një ‘instrument djallëzor’ i cili duhej konvertuar, braktisur ose idealisht shkatërruar.
Faktori i dytë ka qenë me siguri situata politike dhe ekonomike e perandorisë në përgjithësi dhe e Dyrrachiumit në veçanti, gjatë shekullit IV të Erës Sonë. Kriza ekonomike që kishte pushtuar Romën mes viteve 235-275, nisja e dyndjeve barbare dhe Lufta Civile mes viteve 306-324, e bënë të pamundur financimin jo vetëm për festivalet dhe ceremonitë, por edhe mirëmbajtjen dhe riparimin e vetë strukturës. Kështu amfitetari nisi të degradojë dalëngadalë.
Rindërtimi i Amfiteatrit të Durrësit përmes formatit virtual “3D”. Foto: “Screenshot” nga video
Goditja e fundit iu dha atij gjatё tёrmetit tё vitit 345. Me lëkundjet sizmike, që është përllogaritur të ketë qenë e magnitudës 6.6 ballë në shkallën Rihter, amfiteatri humbi jo vetëm stabilitetin strukturor, por edhe spektatorët. Në fakt ka shumë mundësi që Dyrrachiumi mes viteve 345-361 të ketë qenë i pabanuar ose shumë pak i banuar.
Gjatë shekujve të mëpasëm, paqëndrueshmëria politike dhe ushtarake e antikitetit të vonë dhe e mesjetës së hershme solli braktisjen e plotë të strukturës. Vangjel Toçi mendonte se dherat e hequra për hapjen e themeleve të murit të Anastasit janë zhvendosur në arenën dhe në galeritë e amfiteatrit, duke nisur kështu mbulimin e tij aty nga fillimi i shekullit VI. Gjatё viteve kaotike tё mesjetёs së hershme ajo u kthye fillimisht nё furrё pjekjeje tё gёlqeres dhe më pas në varrezё.
Brenda Amfiteatrit të krishterët ndërtuan edhe disa kishëza në nder të martirëve të parë të cilët u sakrifikuan në arenën e tij. Struktura pavarësisht funksioneve të cilat ndryshonin sipas nevojave të kohës, mbeti e zbuluar dhe e dukshme për syrin e çdo vizitori dhe qytetari.
Dëshmia më e vonë në këtë drejtim është ajo e Marin Barletit, aty nga fundi i shekulllit XV dhe fillimi i shekullit XVI, kur shkruan se, “Veç kёsaj, atje ndodhet njё arenё ose amfiteatёr, i ndёrtuar me zgjuarsi e me mjeshtёri tё admirueshme.”
Gjetja e disa monedhave osmane në gërmimet moderne na sugjeron se Amfiteatri duhet të jetë mbuluar përfundimisht në fillimin e shekullit XVI, përmes një procesi të tarracimit që kishin nisur osmanët, saktësisht në vitin 1532 (shih ditaret e M. Sanudo).
Kur në vitin 1670 udhëtari i famshëm Evlija Çelebiu erdhi në Durrës, ai nuk raportoi nga këtu asnjë gjurmë të amfiteatrit. Pra ka shumë mundësi që tashmë ai të ishte mbuluar plotësisht dhe të ishte i padukshëm për syrin e qytetarëve dhe të vizitorëve.
Amfiteatri sot
Gërmimet e para për rizbulimin e amfiteatrit kanë nisur nën drejtimin e babait të arkeologjisë durrsake, Vangjel Toçi, në maj të vitit 1966. Ato nisën fillimisht në shtëpinë e Familjes Simaku dhe vazhdojnë ende sot e kësaj dite.
Sot monumenti ka të dukshëm, mbi dhe nëntokë, vetëm 1/3 e tij. Pjesa tjetër është ende e pazbuluar ose ka humbur përgjithmonë. Grupe të ndryshme arkeologësh nga Italia dhe Gjermania kanë realizuar, në bashkëpunim me arkeologët durrsak si Lida Miraj dhe Afrim Hoti, disa gërmime shumë të rëndësishme gjatë 30 viteve të fundit.
Shehi, von Hesberg, Lengyel dhe Toulouse, përmes projektit “Amfiteatri i Durrësit” kanë hedhur një hap shumë të rëndësishëm në zbardhjen e historisë së tij, duke hequr në mënyrë të konsiderueshme shumë nga mjegulla që e rrethon atë.
Sidoqoftë mbetet ende shumë për t’u bërë nga autoritetet lokale dhe ato qendrore. Shkenca e vetme nuk është e mjaftueshme për të realizuar zbardhjen, ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e monumenteve të tilla me rëndësi rrënjësore.Amfitetari i Durrësit është me siguri struktura më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në Durrës. As veprat moderne si stadiumi “Niko Dovana” apo pallati i sportit “Ramazan Njala“, nuk i afrohen kompleksitetit të veprës romake. Ajo ishte fjala e fundit e teknologjisë së kohës, me kosto të cilat do të ishin krejt të pamundura edhe sot e kësaj dite për qytetin. /amfora.al