Një anije kozmike është nisur mbrëmjen e kaluar nga baza e Kepit Canaveral në Florida me misionin e vetëm të kërkojë shenja jete në hapësirë në një nga hënat e Jupiterit.
Nisja e anijes kozmike “Europa Clipper” u shty për disa ditë për shkak të uraganit “Milton”, teksa udhëtimi i saj miliona kilometra nga Toka do të përfundojë në “Europë”, një hënë misterioze që rrotullohet rreth Jupiterit.
Ekspertët mendojnë se nën sipërfaqen e kësaj hëne mund të ketë një oqean të madh me dyfishin e sasisë së ujit në Tokë.
“Nëse zbulojmë jetën kaq larg nga Dielli, kjo do të nënkuptonte një origjinë të veçantë të jetës në Tokë”, thotë Mark Fox-Powell, një mikrobiolog planetar.
“Kjo është jashtëzakonisht domethënëse, sepse nëse kjo ndodh dy herë në sistemin tonë diellor, mund të nënkuptojë se jeta është vërtet e zakonshme”, shtoi ai.
E vendosur 628 milionë kilometra larg Tokës, “Europa” është pak më e madhe se hëna jonë. Nëse do të ishte në qiellin tonë, ajo do të shkëlqente pesë herë më shumë, sepse akulli i ujit do të reflektonte shumë më tepër rrezet e diellit.
Korja e saj e akullt është deri në 25 km e trashë dhe duke u zhytur poshtë, mund të ketë një oqean të madh me ujë të kripur. Mund të ketë edhe kimikate që janë përbërës për një jetë të thjeshtë.