Anulohet Superkupa e Turqisë në Arabinë Saudite, dy vendet drejt përplasjes diplomatike

Finalja e Superkupës së Turqisë ndërmjet Galatasaray dhe Fenerbahçe në Arabinë Saudite është anuluar në momentet e fundit pas një përplasje mes klubeve dhe autoriteteve të vendit pritës.

Gjithçka ishte gati për këtë ndeshje që do të luhej në orën 18:45 në stadiumin Al-Awwal të Riadit, por ekipet refuzuan të dalin në fushë në momentet e fundit.

Kjo për shkak se autoritetet vendase refuzuan kërkesën e klubeve turke për të dalë në fushë për të bërë përgatitjet me një bluzë ku ishte e printuar fotoja e “babait” të Turqisë moderne Mustafa Kemal Ataturk.

Ndonëse pati negociata për më shumë se 40 minuta, klubet turke e cilësuan si ofenduese këtë kërkesë dhe refuzuan të dalin në fushë, ndonëse stadiumi ishte mbushur plot.

Ataturku nisi një program reformash revolucionare sociale dhe politike për të modernizuar Turqinë, duke shërbyer si presidenti i saj i parë nga viti 1923 deri në vdekjen e tij në 1938.

Këto reforma përfshinin emancipimin e grave, shfuqizimin e të gjitha institucioneve islamike dhe futjen e kodeve ligjore perëndimore, veshjes, kalendarit dhe alfabetit, duke zëvendësuar alfabetin arab me një latin, masa këto që cilësoheshin si shmangie nga islami radikal nga shumë vende myslimane.