Ndeshja e SuperKupës së Turqisë e cila ishte planifikuar të luhej mbrëmjen e sotme në orën 18:15 mes Galatasarayt dhe Fenerbahçes në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite, është anuluar pas mosmarrëveshjeve me autoritet saudite rreth organizimit të ndeshjes.
Dy skuadrat refuzuan të dilnin në fushë pasi nuk lejoheshin pankartat dhe bluzat e Ataturkut në ditën kur shteti i Turqisë feston 100 vjetorin e themelimit.
Galatasaray dhe Fenerbahçe nuk u lejuan të mbanin bluza dhe pankarta të Ataturkut dhe skuadrat refuzuan të dilnin në fushë. Kur kërkesat nuk u plotësuan, klubet u njoftuan se ndeshja u anulua.
Autoritetet më pas bënë evakuimin e stadiumit Al Awwal.
Autoritetet saudite lejuan këndimin e himnit kombëtar dhe shpalosjen e flamurit turk, por nuk lejuan që të shfaqen bluzat dhe pankartat e Ataturkut.
Mustafa Kemal ose Mustafa Kemal Ataturk, lindi më 12 mars të vitit 1881 në Selanik. Ai ishte një udhëheqës ushtarak turk, themelues i Republikës Turke dhe kryetari i parë i saj nga viti 1923 e deri më 1938. Për turqit, figura e tij është ngushtësisht e lidhur me krijimin e shtetit modern turk.